Nga Iva V.GRILLO
Gjici…mish për top!
Duket se SPAK është treguar shumë syhapur, kreativ dhe i palëkundur kur ka ardhur puna për dënimin e ish-kryetarit të turpëruar tashmë të bashkisë Kukës.
Përveç mbajtjes së izoluar në burg për më tepër se një vit për shkak të kapjes në fragrancë në momente intime gjatë funksionit shtetëror (një masë ekstreme dhe pompoze kjo pavarësisht aktit të shëmtuar të kryer në zyrën e shtetit), duket se SPAK dhe gjykata kanë vendosur që ta bëjë të paguajë shtrenjtë edhe premtimin që i bëri partneres për ndërtimin e një biznesi qensh…
Në fakt duhet thënë se një funksionar alla-Gjici nuk i bën nder asnjë zyre shteti, qoftë kjo dhe zyra më e humbur e një fshati po aq të humbur.
Dhe kjo jo vetëm për shkak të përdhosjes se zyrës për gratifikim seksual vetjak…i cili edhe pse serioz dhe i dënueshëm ndoshta është mëkati i tij më i vogël.
Mëkatet e modelit të funksionarëve rilindas alla-Gjici lidhen më shumë me trafikun e influencave, blerjen e votave dhe shërbimin e paskrupullt që bëjnë ndaj regjimit…sigurisht në shkëmbim të favoreve dhe majmjes së bizneseve të tyre nga tenderat e pushtetit.
Pushteti duket se ka vendosur t’i flakë tutje si limona të shtrydhur disa nga ish shërbëtorët e vet të zellshëm …duke i bërë pjesë të një cirku të madh drejtësie dhe njëkohësisht pjesë të statistikave “premtuese” të goditjes së korrupsionit.
Kur shikon vendosshmërinë e palëkundur të SPAKUT dhe drejtësisë së re për të dënuar një funksionar për përdorimin e zyrës për marrëdhënie intime apo për biznes qensh…dhe e krahason këtë me “vendosshmërinë” me të cilën Kryetari i Bashkisë Tiranë lihet të livadhisë akoma i lirë nga i njëjti SPAK, atëherë nuk të mbetet gjë tjetër veçse të konkludosh se mëkatarët alla-Gjici po përdoren më shumë si mish për top nga pushteti dhe se për “drejtësinë e re” inceneratori fantazëm e bizneset 5D të Veliajt nuk na qënkërkan asgjë përpara disa kolibe qensh me të cilat ka dashur të joshë partneren Gjici…
Si thoni, kush është i korruptuari apo imorali më i madh: Gjici i qenve apo Veliaj i inceneratorêve dhe 5D?!