Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, deklaroi përpara të pranishmëve se mesazhi kryesor duhet të jetë bashkimi.
Ai u bëri thirrje drejtuesve dhe strukturave që të punojnë sa më shumë për protestën e 11 korrikut, duke theksuar se ajo duhet të jetë madhështore.
“Kryetari i partisë përshkroi arritjet e PD-së në këtë periudhë. Pika e parë e diskutimeve është bashkimi.
Drejtuesit e PD-së, Kryesisë, Këshillit Kombëtar, kryetarët e degëve të kontaktojnë me çdo demokrat për ta integruar në strukture.
Ne duhet të jemi të hapur dhe të shtrimë dorën e bashkimit për demokratët si edhe jodemokratët, por që janë kundër qeverise.
Takoni veçanërisht drejtuesit e degëve që janë mashtruar nga pengu( Basha).
Protesta e 11 korrikut duhet të jetë madhështore sepse jemi e vetmja parti në Europë ku lideri ynë është i burgosur politik pa prova, fakte dhe akuzë.
Ky është një regjim autokratik që synon të asgjësojë opozitën dhe burgosë liderin e saj ose të nxjerrë jashtë ligjit atë. Regjimi ka zgjedhur të burgosë liderin tonë.
Degët e PD-së kanë grupet e punëve. Të gjithë në terren. Në fletëpalosje do të jenë të gjitha pikat përse i ftojmë qytetarët në protestë. Do të realizohet dhe spoti, i cili do të shpërndahet masivisht.
Sensibilizimi është shumë i rëndësishëm.
Kryetaret e degëve, anëtarët e Këshillit Kombëtar që janë pjesë e grupeve të punës të jenë në çdo rrugë, takime me qytetarë për t’i ftuar ata në protestë. Ashtu sikundër vepruam në protestën e 20 shkurtit”, tha Noka.