Numri i pacientëve që i drejtohen spitalit të Bulqizës me shenja helmimi po vijon të rritet.
Raportohet se deri më tani numri i pacientëve ka shkuar në 90, nga 50 që ishte deri mbrëmjen e djeshme.
Prefekti i qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu u ka bërë thirrje banorëve mos ta përdorin ujin e pijshëm deri në përgjigje të analizave pasi dyshohet që mund të jetë uji i pijshëm shkaku i helmimit.
Personat e helmuar që kanë marrë mjekim në Spitalin e Bulqizës deklarojnë se kanë pasur dhimbje barku, të vjella dhe dhimbje koke. Shumë prej tyre dyshojnë se shkaku i helmimit është uji i pijshëm.
Protokolli i mjekimit nga mjeku i shërbimit spitalor ka qene Gastroenterit akut pra që përdoret në raste helmimi.
Në Lagjen e Re, prej më shumë se një viti po kryhen punime për rehabilitimin e ujërave të zeza. Një situatë e tillë është e përsëritur në Bulqizë dhe njësitë administrative përreth, pasi banorët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në disa raste të mëparshme për shkak të helmimit nga uji.