Kryetari i PD, Sali Berisha ka krahasur situatë politike në Shqipëri njësoj si në Rusinë e Putinit.
‘Sot në Shqipëri, si në Rusinë e Putinit, ndiqen dhe persekutohen nga prokurorët politikë, drejtuesit e forcave kryesore opozitare’, u shpreh Berisha gjatë protestës përpara Kryeministrisë.
Berisha: Të gjithë jemi dëshmitarë se si Edi Rama për zëvendësimin e shtetit ligjor me narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë, emëroi në krye të rendit balozët e drogës, Tahirin, Xhafën, Ballën.
Korruptoi dhe angazhoi si këshilltarë delinkuantë McGonigalin dhe Coldean.
Vëllai i tij Olti udhëhoqi klanin e Xibrakës.
Bashkë me kanabizmin e Shqipërisë nisën vjedhjet më barbare në historinë e vendit.
Në 11 vite, nga buxheti total i shtetit prej 57 miliardë euro, vetëm 9 miliardë janë përdorur për rrogat e shqiptarëve. 47 miliardë të tjera janë zhdukur në honet e korrupsionit.
Disa miliarda euro pasuri publike po vidhen nga Rama me Dubai Cityn, portin e Durrësit dhe trafikantët si investitorë strategjikë.
Këta bastardë zhdukën qindra milionë për një incenerator që nuk ekziston dhe Duman mercenari amniston Erion Veliajn vetëm pse paratë i ka vjedhur me Edi Ramën.
Ilir Beqja arresohet për vjedhjen e 150 mijë euro nga fondet e BE, por ai amnistohet nga Dumani dhe nuk ka akuzë për 300 milionë euro që u ka vjedhur shqiptarëve me Edi Ramën.
Kjo është e tmerrshme.
Por pse amnistohen Beqaj, Veliaj dhe të tjerë?
Pse dënohet Saimir Tahiri për shpërdorim detyre kur ka bërë trafik ndërkombëtar droge?
Përgjigja është vetëm një, kjo ndodh sepse koka e tyre e krimeve është Edi Rama.
Sepse drejtësia e re është bërë për të zbatuar urdhrat e Edi Ramës, për procese politike dhe për të prodhuar statistika kallp për mashtrimin e shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Sepse drejtësia e re është bërë për t’u nxirë jetën shqiptarëve duke pritur për një vendim gjyqësor 15 vite.
Se ajo është bërë për t’u mohuar drejtësinë shqiptarëve dhe ky është një krim i shëmtuar.
Miqtë e mi, të gjithë këto zhvillime kanë sjellë një realitet të ri alarmant për shqiptarët.
Ato kanë sjellë urinë e fëmijëve, vdekjen e shqiptarëve për ilaçe.
Ato kanë sjellë instalimin, vendosjen në Shqipëri të diktaturës së bazuar në aleancën e pushtetit me krimin, vjedhjen dhe drogën.
Shndërrimin e votës në krim dhe krimit në votë dhe bllokimin e rotacionit politik.
Sot në Shqipëri, si në Rusinë e Putinit, ndiqen dhe persekutohen nga prokurorët politikë, drejtuesit e forcave kryesore opozitare.
Kandidatët e opozitës që zgjidhen kryetarë bashkie burgosen vetëm pse nuk plotësojnë interesat mafioze të Edi Ramës.
Ndërsa Edi Rama, rilindësit e tij të shpifur kanë siguruar të paktën 15 breza dhe në mos më shumë me pasuri përrallore të vjedhura shqiptarëve.
Gazeta RD