Nga Ridvan Sokoli
“Të ngulësh një përçartje postmoderne mu ku fillon historia venediko-otomano-austriako-italo-shqiptare e Shkodrës, kërkon një guxim katundaresk. Shkodra e ka atelienë e saj urbane, dhuratë të shekujve, dhe të futesh në të me një tiranosaur është veprim prej tirani. Shkodra mund dhe duhet përmirësuar, por jo shkatërruar.” (paragraf nga artikulli i z. Alfred Lela, me titull “Ku do të jeni ju kur kullat e Ramës të kenë mbaruar?”)
Në titullin e artikullit të tij z. Lela pyet: Ku do të jeni ju kur kullat e Ramës të kenë mbaruar?
Pa asnjë mëdyshje do t’i përgjigjesha: Të gëlltitur, pa lan nam e nishan, nga sistemi i gjarpërinjve.
E filloi me nguljen e çelësit të shtrembër të kuq-rremtë, atje ku e ka gjenezën qyteti, me mesazhin për të çelur arkapitë e ndryshkura të Shkodranëve.
E vazhdoi me një aktivitet zhgarravinë për hapjen e arkapive të shtëpive qytetare shkodrane. Në fakt me ia hap vetes së tij dhe patronazhistëve, si dikur spiunëve të lagjeve.
Dhe “fap-fap-fap”, siç thotë kryeministri jonë zyrtar, pa pyetur për setin e dokumenteve të planit urbanistik që ka kushtuar rreth 550 mijë euro prej taksave tona, as për PDV-të (planet e detajuara vendore), për zhvillimin e të cilave po harxhohen edhe nja 600 milion lekë prapë prej taksave tona, pranon të ndërtohet një përbindësh 100 metër i lartë mu në qendrën më naziqe të qytetit, tuj i ba karshillëk Kështjellës së Rozafës. Dhe thonë se po e zhvillojnë në territorin e pronës së tyre?!
Por a e dini se me kë lidhet me arkapi prona e re në vitet e demokracisë e Uldedajve, ku do të ndërtohet ky përbindëshi?
Me pronën e Ulqinakut të Madh, i pari në listë me vlerën më të madhe të tatimit të jashtëzakonshëm, i grabitur nga regjimi komunist në 1946; me familjen Muka, e burgosur dhe e grabitur në mënyrën më barbare nga regjimi komunist; me familjen Sokoli, e treta në listën e tatimit të jashtëzakonshëm, duke i grabitur çdo gjë e duke e hedhur në mes katër rrugëve; me familjet e nderuara të të ndjerëve z. Ahmet Bushatit dhe z. Nexhmedin Bushatit; me pronën e Kadukëve të famshëm dhe me familjen e nderuar Hefovija.
A mos po përgatitet edhe njëherë shpronësimi i ish-pronarëve të vjetër (për fat të keq kështu quhen edhe sot) në favor të pronarëve të rinj dhe aleancave me pushtetarët e sotëm? Nga regjimi i Enverit këtyre të gjorëve arritën t’u shpëtojnë ca thërrime, por këto të sotmit të periudhës Edi Rama e Benet Beci të gëlltisin pa të lan nam e nishan.
Zhdukja e identitetit të krenarisë shkodrane, Pijacës së tyre, zbehja e asaj mrekullie arkitekturore, vepër e Kolë Idromenos sonë të famshëm, bëhet për të përfituar në mënyrën më të parregullt në kurriz të vlerave të trashëgimisë kulturore të Shkodrës, në kurriz të zhvillimit të pronave në mënyrë të barabartë, sipas rregullave plotësisht të përcaktuara më parë, të familjeve të tjera shkodrane, që kanë kontribute të mëdha në zhvillimet social-ekonomike dhe kulturore të qytetit, në kurriz të një trashëgimie qindra vjeçare autoktone, në emër të një argumenti pervers të artikuluar nga kryeministri dhe kryebashkiaku, se ndërtimi i kullës është i çertifikuar nga një konkurs ndërkombëtar.
Në fakt konkursi është organizuar nga vetë të zotët e mallit, por në popull është sajuar alibia sikur këtë konkurs e ka organizuar vetë Bashkia dhe Qeveria.
Unë, qytetari i thjeshtë i këtij qyteti, i bëj thirrje kryetarit të Bashkisë Benet Beci: zbato Planin e Përgjithshëm Vendor dhe të gjithë setin e dokumenteve përbërëse të tij! Ky është detyrimi jot kushtetues dhe ligjor.