Lideri i opozitës, Sali Berisha ka hedhur akuza ndaj Edi Ramës, teksa i ka kujtuar këtij të fundit vendimet e Gjykatës Kushtetuese për Teatrin Kombëtar dhe mandatin e Olta Xhaçkës, tha se po i shkelmon qëllimisht ato, vetëm për të mbushur valixhet me narkoeuro.
Duke folur para mbështetësve poshtë banesës së tij, Berisha tha se ligji tashmë është në duart e bandave kriminale.
“Të dashur miq, zoti Edmond Budina shtroi këtu përsëri çështjen, barbarinë që u krye ndaj Teatrit Kombëtar.
Ndaj këtij simboli të arrirë të kulturës kombëtare, që u rrafshua nga mafia e tmerrshme qeveritare vetëm e vetëm për të mbushur baulet me narkoeuro.
Një vendim i Gjykatës Kushtetuese njohu barbarinë si të paligjshme, antikushtetuese.
Protesta epike e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit fitoi në ligjet e Kushtetutën e vendit të drejtën e kauzës që kishte mbrojtur.
Por në vendin ku Kushtetuta, ligji është në duart e krimit, është në duart e bandave, natyrisht gjithçka shkelmohet.
Përsëri tek ligji dhe Kushtetuta, a e shihni ju një deputete, një zonjë që e nisi jetën me piramida, që quhet Olta Xhaçka se si Edi Rama për shkak të lidhjeve mafioze, shkelmon mbi ligjin, mbi Kushtetutën, mbi gjykatën.
Dhe Olta, që ka bërë burrin investitor strategjik, nuk tundet nga parlamenti vetëm e vetëm se strategjik me burrin e Oltës është edhe Olsi i Edi Ramës apo vetë Edi Rama, tha Berisha.