Kontrata e re 1 milionë euro për 17 muaj e Silvinjos

Më në fund kuptohet koha e zgjatur e ankthit për rinovimin e kontratës së trajnerit Silvinjo. Menjëherë pas europianit u fol se braziliani mund të largohej drejt një klubi spanjoll kurse presidenti i FSHF i hodhi benzinë zjarrit të dyshimeve duke thënë se ai nuk mund ta ndalte nëse kualifikuesi të Shqipërisë për Gjermani 2024 i ofroheshin shuma marramendëse. Tani kur gjithshka ka përfunduar me happy end mësohet se koha e zgjatur pa kontratë ka qenë ajo kur të dyja palët tërhhiqnin litarin në bazë të interesave të tyre financiare.

Me sa duket zyrtarët e FSHF-së nuk donin një rritje të ekzagjeruar ndërsa trajneri nuk pranonte të vijonte me të njëjtën shifër si sezonin e kaluar. Kompromisi u gjet dhe këtë e konfirmoi zyrtarisht një njoftim i federatës që bëri të ditur se “Federata Shqiptare e Futbollit rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares, Silvinjo, si edhe dy zëvendës-trajnerët, Pablo Zabaleta dhe Doriva” thuhej në njoftimin ku shtohej se ajo do të zgjasë deri në dhjetorin e vitit 2025.

Asnjëra nga palët nuk i ka bërë të ditura shifrat por Lapsi.al ka mësuar se nga 750 mijë euro në kontratën e dytë braziliani do të përfitoijë plot 1 milionë. me rritje do të jenë edhe të dy ndihmësit e tij Zabaleta dhe Doriva. Pagesa për ta nga rreth 170 mijë euro për gjithë sezonin do të rritet në 250 mijë. Menjëherë pas arritjes së marrëveshjes reagoi edhe vetë trajneri: Silvinjo me anë të një postimi në profilin e tij zyrtar në “Instagram”: “Jam shumë i lumtur me rinovimin e kontratës së stafit tonë teknik deri në dhjetor 2025. Është vazhdimi i punës që nisi një vit e shtatë muaj më parë, me synimin për t’u kualifikuar në finalet e Kampionatit Europian dhe që u realizua. Ne u përballëm si të barabartë me çdo rival në ‘Euro 2024’ dhe dolëm nga turneu krenarë për atë që bëmë. Por, tani është koha për të ecur përpara dhe për t’u përballur me sfida të reja. Jemi gati për këtë. Forca Shqipëri!”, shkroi ai.

Pas nuk mbeti as presidenti Armando Duka: “Projekti i nisur me trajnerin Sylvinho dhe stafin e tij, Zabaleta e Doriva, nuk mund të ndalej. Në asnjë moment nuk kemi pasur dyshime për vazhdimësinë dhe tani edhe e kemi konkretizuar me hedhjen e firmës mbi kontratë, deri në dhjetor të vitit 2025″ konfirmoi ai duke lënë të kuptohet se dyshimet nuk qenë për punën e teknikut por për shpërblimin që ai do të merrte. Në pritje të hedhjes së shortit për eleminatoret e botërorit Shqipëria do të ndeshet në shtator për UEFA Nations League, në grupin B1.

Rrugëtimin do ta nisë në transfertë ndaj Ukrainës. Ky takim pritet që të luhet më datë 7 shtator në orën 20:45. Tre ditë më pas, më datë 10 shtator kuqezinjtë do të zhvillojnë ndeshjen e parë në shtëpi kundër Gjeorgjisë, në orën 20:45 të mbrëmjes.

Në muajin tetor, ekipi Kombëtar do të luajë dy ndeshje në transfertë. Më datë 11 tetor, kuqezinjtë do të përballen me Çekinë në orën 20:45, ndërsa tre ditë më pas, më datë 14 tetor, Shqipëria luan sërish në transfertë ndaj Gjeorgjisë, në orën 18:00.

About Krye Redaktor

Check Also

Silvinjo drejt largimit nga Shqipëria, gjen skuadrën e re

Dështimi në kualifikimet për Ligën e Kombeve mund t’i kushtojë shtrenjtë përzgjedhësit brazilian të Shqipërisë, …