Loja me shpronësimet/ Si Qeveria ndryshoi ligjin për të favorizuar investitorët strategjikë

Dhjetra familje që u prekën nga shpronësimi i rrugës Thumanë Kashar, nuk mundën të fitojnë dëmshpërblim, edhe pse ishin prej 2 dekadash në proces legalizimi. Ligji për shpronësimet u ndryshua në vitin 2016 në favor të investitorëve strategjikë, duke u lehtësuar atyre procesin e shpronësimit, por qytetarët e thjeshtë nuk përfituan sërish asnjë lehtësi.

Në fund të vitit të kaluar banesa tre katëshe e Dashamir Vocit në fshatin Bërxullë, u shemb nga fadromat e IKMT, pasi u prek nga projekti i ndërtimit të rrugës Thumanë – Kashar. Autostrada po ashtu i mori edhe 1700 m2 tokë. Megjithëse mbeti pa shtëpi dhe pa tokë ai nuk përfitoi dëmshpërblim, pasi asnjëra prej pronave nuk ishte legalizuar.

“Eksperti e vlerësoi 360 mijë euro dëmin që mu bë për të dy pronat, ndaj kam nisur një proces gjyqësor”, – rrëfen Dashamiri për Citizens.al, që thotë se shtëpinë e përfundoi së ndërtuari në vitin 2002

Rrugën për legalizimin e banesës, e nisi dy dekada më parë, por si pasojë e ndryshimeve të shpeshta ligjore, ai nuk mundi asnjëherë të merrte cerftifikatën e pronësisë.

“Sapo doli ligji i legalizimit, aplikova në 2005-ën. Në 2009 erdhën vetë dhe e plotësuam sërish aplikimin, në 2016-ën erdhën prapë për aplikim, por nuk mora asnjë përgjigje.”, – rrëfen ai për Citizens.

Pas 23 vitesh përpjekje për të ligjëruar pronën, ai pretendon se u skualifikua nga procesi i legalizimit, menjëherë sapo u bë publik projekti i ndërtimit të rrugës Thumanë-Kashar.

“E gjithë loja u bë se filloi gjurma e projektit. Kam dokumente, një herë në 2018 dhe një herë në 2021 që isha në proces legalizimi. Më 2023, kur doli projekti më njoftuan që isha skualifikuar nga legalizimi. Madje kohët e fundit më thanë që ka humbur dosja, nga Kadastra, por më vonë rezultoi se ishte aty” ,- akuzon Dashamir Voci.

Projekti Thumanë Kashar ka kushtuar 226 mln euro, por ndërtimi i rrugës vetëm në zonën e Bërxullës ka sjellë shembjen e 19 banesave. 11 prej tyre nuk kanë përfituar dëmshpërblim pasi ishin në process legalizimi.

Sa u përket tokave, janë dëmtuar rreth 98 familje, por vetëm 30 prej tyre kanë përfituar dëmshpërblim. 68 familje janë skualifikuar nga procesi i dëmshpërblimit edhe pse ishin në pritje të certifikatës së pronësisë.

Një pjesë e konsiderueshme e pronave të prekura nga projekte të mëdha infrastrukturore, në të gjithë vendin, janë skualifikuar pa përfituar asnjë dëmshpërblim, për shkak të mungesës së legalizimit.

Procedurë kjo që garantohet nga ligji nr. 9482 për “Legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”. I miratuar dy dekada më parë, në vitin 2004, ky ligj ka ndryshuar 7 herë deri në vitin 2015.

“Të gjithë pronat që kanë qenë me AMTP (Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi) dhe të aplikuara në ASHK për certifikata, të gjithë i kanë skualifikuar dhe nuk kanë dhënë asnjë lek. Janë mbi 50 familje që nuk kanë marrë asnjë qindarkë”- thotë Muharrem Koni, banor i fshatit Bërxullë, njëherazi edhe kryeplak i zonës.

Ngërçi me ligjin e shpronësimeve

Shpronësimi për interes publik rregullohet me ligjin e vitit 1994 “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”. Por edhe ky ligj ka ndryshuar disa herë, duke i bërë të paqarta rregullat e lojës në mes të procesit. Vetë deputetët, me kartonat e të cilëve miratohet çdo ndryshim ligjor, i konsiderojnë arbitrare ndërhyrjet në kuadrin ligjor rregullator.

“Dëmshpërblimi i pronave është kthyer nga një proces në respekt të pronës, tek një proces që ka në thelb arbitraritetin”, – thotë deputetja e PD, Jorida Tabaku.

Enkelejda Olldashi, pedagoge pranë fakultetit Juridik, thotë se shteti nuk ka vendosur rregulla të qarta për mënyrën se si do të ligjërohet prona, pasi ka përplasje mes ligjit të shpronësimeve dhe atij të legalizimit.

“Jo vetëm që regjistrimi i pronave nuk ka përfunduar, por shteti shqiptar nuk ka mundur ende të formalizojë një regjistër të tokës, që do të pasqyronte vlerën e saj”, – thotë Olldashi.

“Realizimi i procesit të shpronësimit për interes publik ndërkohë që ende nuk ka përfunduar procesi i regjistrimit të pasurive të paluajtshme, sigurisht që do të gjenerojë probleme”, – thotë Olldashi.

“Themeli mbi të cilin bazohet shpronësimi i pronave është interesi publik dhe kompensimi me një shpërblim të drejtë i tyre”, sqarohet në nenin 41.1 të Kushtetutës së Shqipërisë.

Viti 1994 ishte zanafilla e ligjit për shpronësimet. Me ndryshimin e sistemit politik në vitin 1992, më 25 korrik të vitit 1994 u miratua ligji nr.7848, “Për shpronësimet për interes publik dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë së paluajtshme”. Ky ligj ka qenë në fuqi deri në miratimin më 22 dhjetor të 1999, të ligjit nr Nr.8561 “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”.

Ligj mbeti i pandryshuar për shumë vite, derisa pësoi dy ndërhyrje gjatë periudhës së qeverisjes së kryeministrit aktual, Edi Rama. Ndryshimi I parë është miratuar më ligjin nr. 20/2016, datë 10.3.2016, dhe ndryshimi dytë me ligjin nr. 11/2020, datë 12.2.2020). Ndërhyrja erdhi si rezultat i problemeve të hasura në praktikë, gjatë implementimit të ligjit aktual për shpronësimet dhe synonte rregullmin e procedurave të shpronësimit.

Miratimi i këtyre ndryshimeve nuk ishte e planifikuar në programin analitik të projekt akteve të Këshillit të Ministrave dhe ligjet e reja prodhuan një situatë edhe më konfliktuale.

“Ndryshimet ligjore u shitën si një mënyrë për t’i ikur problemeve që kishin krijuar shpronësimet për arsye publike tek pronarët. Në të vërtetë mënyra se si u ndryshuan dhe çfarë u ndryshua qe dëshmi që shteti përdori këto ndryshime për të abuzuar me shpërblimin për tokën e marrë”, –komenton Jorida Tabaku.

Me ndryshimet e miratuara, në nenin 7 u shtuan si objekte të shpronësimit edhe kulturat bujqësore, duke cënuar drejtpërdrejt të ardhmen e qytetarëve që e bazojnë jetësën tek bujqësia.

Një ndër ndërhyrjet më flagrante në këtë ligj, ishte prekja e nenit 8, ku përcaktohen shkaqet e shpronësimit. Me ligjin 20/2016, datë 10.3.2016 pika F, është shtuar shpronësimi për arsye investimi strategjik, sipas legjislacionit për investitorin strategjik.

Nenit 9, ku përcaktohen subjektet për të cilët mund të bëhet shpronësimi, i është ndryshuar përmbajtja me ligjin nr. 20/2016, duke shtuar si subjekte dhe investitorët strategjikë.

Përmes lëvizjeve të tilla dhe ndryshimeve ligjore, që në thelb kanë “investitorët strategjikë”, qeveria lehtësoi procesin e shpronësimit në favor të klientëve të ashtuquajtur “investitorë strategjikë”, por qytetarët e thjeshtë nuk përfituan asnjë lehtësi.

“Ligji i investimeve strategjike ka rënduar situatën e pronarëve në vendin tonë pasi shpronësimet për çështje të tilla tanimë janë kthyer në skemë abuzimi me dëmshpërblimin”, – mendon Jorida Tabaku.

Sipas saj, në këtë rast, korrupsioni bëhet me ligje duke përfshirë në lojë edhe parlamentin.

“Nuk kam dëgjuar asnjëherë ndonjë koleg të mazhorancës socialiste që të angazhohet në sjelljen e një ligji për të rritur shpërblimin ndaj pronave që meren për ndërtime publike, në të kundërt gjithmonë shohim ata deputetë që të angazhohen në mbrojtje të interesit të të dyshuarve të përhershëm”- thotë Tabaku.

Në vitin 2020 u bë sërish një ndërhyrje. Ndryshimet e reja përcaktojnë funskionimin në mënyrë të përhershme të një institucioni qeveritar që është Agencia Shtetërore e shpronësimeve, teksa ligji i mëparshëm përcaktonte ngritjen e komisioneve të përkohshme.

Legalizimet, ndryshime të shpeshta

Andi Gjoka, pronar i një biznesi lulesh ka refuzuar të firmosë dhe nuk ka pranuar shumën e ofruar, por e ka dërguar çështjen e dëmshpërblimit në Gjykatë Administrative.

“Më janë dëmtuar 5000 metër katrorë tokë që e kam përdorur për biznes, kisha mbjellë lulet që tregtoj”- thotë Andi Gjoka, banor i Krujës.

Qytetarët e preku nga ky projekt kanë pretendime edhe për vlerën e shpronësimeve. Për ta, vlera e ofruar është qesharake.

“Toka bujqësore ishte vendosur të shpronësohej me vlerë 448 lekë metri katror, ndërsa 51 500 lekë është vlera e shpronësimit për metrin katror të shtëpisë. Një vlerë qesharake”- sqaron Muharrem Koni.

Vlera e dëmshpërblimit kryhen sipas një formule që përllogaritet nga Agjencia Shtetërore e Shpronësimit, por që ekspertët sugjerojnë se nuk përputhet me vlerën e tregut.

“Shpronësimet për interes publik bëhen nga Agjencia Shtetërore për Shpronësim. Por në 80% të rasteve është shkelur neni 41 i Kushtetutës për një shpërblim të drejtë. Shpronësimet në tokat bujqësore janë bërë sipas çmimit të referencës nga ASHK (Agjencia Shtetërore e Kadastrës) me çmime qesharake deri në 200 lekë metri, por çmimi i tregut është 100 euro metri.”- thotë avokatiKujtim Ibraj, i cili e ka ndjekur këtë proces.

Ekspertët e ligjit thonë se në zonën e Rinasit çmimi i referencës së tokës bujqësore është qesharak, ndërkohë që çmimi i tregut është 100-fish me i lartë se sa vlera që qytetarët marrin nga shpronësimet publike.

“Agjencia llogarit vlerën ‘qesharake’ dhe e dërgon për VKM. Shumë qytetarë kundërshtojnë këto VKM në rrugë gjyqësore në një kalvar pa fund në dyert e gjykatave”, – shprehet avokati Kujtim Ibraj

“Këto çështje duhen adresuar me kujdes, me procese transparente, kompensim të drejtë dhe angazhim domethënës dhe miërkuptim”, – sugjeron Haxhimali.

  1. Dervishi nuk e ka legalizuar shtëpinë që e ndërtoi në vitin 2009 mbi rrënojat e shtëpisë së vjetër që iu shemb nga shpërthimi në Gërdec, edhe ajo e palegalizuar.

“Unë kam pronën me Aktin e marrjes së tapisë në dorëzim, kam bërë mbi 100 Gen-pane, por Hipoteka mi kthente mbrapsht. Mendoj se i bënin qëllimisht topografët që mos të përputheshin dhe të mos merrnim certifikatën e pronës”, – rrëfen më tej peripecitë për legalizimin e pronës ai.

I zhgënjyer dhe I pashpresë për një përgjigje pozitive, ai ka hequr dorë nga aplikimi.

“Po ra ndonjë projekt prapë, do më nxjerrin në rrugë se më kanë skualifikuar, më lanë pa letra.”, – thotë ai.

Përveç Kushtetutës e drejta e pronësisë në Republikën e Shqipërisë garantohet dhe nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut (protokolli 1) dhe rregullohet nga dispozitat e Kodit Civil dhe akte të tjera ligjore e nënligjore.

Megjitahtë qytetarët janë të bindur se legalizimet janë përdorur si instrument politik.

“Legalizimet këtu janë bërë më shumë në kohë fushate zgjedhjesh për të marrë vota”, – thotë Dervishi.

Për ekspertët shteti shqiptar nuk ka një kulturë të shëndetëshme në kompensim e pronave legjitime.

“Prona e fshatarëve përdoret për investime publike pa dhembshuri nga vete shteti”, – thotë eksperti i pushtetit vendor Agroh Haxhimali./ Fjona Çela | Citizens.al

About Redaksia

Check Also

“Kam 10 vite pa fjetur në krevat”, Pareshqevi Simaku u gjet duke fjetur mbi valixhe

Elvira Tata, gruaja që gjeti në rrugët e Amerikës ikonën e muzikës shqiptare, Parashqevi Simakun, …