Një situatë mjaft problematike u paraqit gjatë ditës së djeshme në Shëngjin, sidomos tek zona e quajtur ‘Rana e Hedhun’ ku flakët e afruara drejt zonës së plazhit sollën djegien masive të çadrave, shezlongeve si dhe një resorti aty pranë.
Natën Emergjencat Civile urdhëruan evakuimin e banesave dhe hoteleve afër ‘Ranës së Hedhun’, dunës së njohur bregdetare të Adriatikut që ka mbledhur mijëra pushues, pasi era po i shtynte me forcë zjarret dhe po i përhapte më shumë.
Ditën e sotme, deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, në një lidhje Live për edicionin informativ në ‘Syri Televzion’ nga qyteti i Shëngjinit shprehet se kjo ka qenë një nga situatat më të rënda që ka kaluar qyteti i Shëngjinit, dhe nëse qeveria do ia kishte vënë veshin thirrjes, kjo traumë mund t’u kursehej banorëve.
Deklarata
Kjo ka qenë një nga situatat më të rënda që ka kaluar qyteti i Shëngjinit.
Praktikisht ne e kemi vënë alarmin së bashku me qytetarët prej katër ditësh, thirrjet tona kanë rënë në vesh të shurdhër sepse nëse do të ndërhyhej në kohë, do i kursehej kjo traumë banorëve të Shëngjinit, do iu kursehej kjo traumë bizneseve të qytetit si dhe imazhi i tij duke vënë në rrezik qytetarët.
Dua të falenderoj kolegët e mi, të cilët janë gjetur pranë qytetarëve duke u përpjekur që të sensibilizojmë një qeveri që i ka veshët e zënë më dyllë, një kryeministër që nuk sheh e nuk dëgjon si dhe ministrat që nuk janë pranë halleve të qytetarëve.
Ju e e keni vënë re që qeveria jonë flet për satelitë e për Inteligjenca Artificiale, ndërkohë që ne jemi në mëshirën e fqinjëve tonë, të cilët u përgjigjen pak vonë, ndonëse nuk është detyra e tyre që të caktojnë raportin me shpejtësinë, pasi duhet të ishte qeveria që duhet të kishte mjetet e duhura për të dominuar situata të tilla.
Dua të falendoroj edhe ‘Forcat e Rendit’ si dhe banorët e Shëngjinit që i dolën zot vetes të braktisur nga qeveria.
Po shtohen zërat që ky ka qenë i qëllimshëm dhe nuk dua të akuzoj njeri drejtpërdrejt, duke i dhënë pohim zërit që ne kemi për mafiat e tokave, të cilët po shtojnë babëzinë e ndërtimeve në qytetin e Shëngjinit.
Shpresoj shumë që situata të tilla të mos përsëritet dhe dua të apeloj që të braktiset propaganda e të investohet te pjesa civile, duke mos i lënë njerezit në mëshirë të fatit nëse do përballen edhe një herë tjetër me situata të ngjashme.