Përplasje në aeroportin e Shkupit me Presidenten e Kosovës, reagim i fortë edhe nga kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut

Zyra e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi të enjten autoritetet e aeroportit të Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare, duke penguar presidenten gjatë kalimit nëpër aeroport.

Në një deklaratë të publikuar nga Bekim Kupina, zëdhënës i presidentes Osmani thuhet se “në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën. Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike”.

Më tej në deklaratë thuhet se në kundërshtim me këto rregulla, “pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes. Edhe pse kjo ishte kundër rregullave, ekipi i Presidentes e ka lejuar në mënyrë që Presidentja të hyjë në aeroport, konkretisht në sallën VIP, e cila ishte rezervuar me notë verbale të Ambasadës sonë, siç është praktika për udhëtimet e krerëve të shtetit. Mirëpo, për arsye të sigurisë, në asnjë mënyrë nuk është lejuar që të dorëzohet telefoni personal”.

Zëdhënësi Kupina tha se “sjellja arrogante dhe e dhunshme e zyrtarit të Aeroportit të Shkupit është e paprecedente dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë udhëtim të presidentes kudo në botë, përfshirë në shtete jonjohëse. Vërehet qartë se në rastin në fjalë kishte tendencë për ta provokuar delegacionin e Republikës së Kosovës dhe për të shkaktuar incident”.

Presidentja Osmani e ka njoftuar “për këtë skandal diplomatik të shkaktuar nga pala maqedonase kryetarin e Kuvendit (të Maqedonisë së Veriut) z.Afrim Gashi, të cilin e falënderon për ndihmën e ofruar”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut, tha se “teksa presidentja e Kosovës po kalonte kontrollin kufitar, në momentin kur asaj iu kërkua që ta kalonte telefonin përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj është tërhequr dhe larguar nga punonjësja e kompansië operuese të aeroportit (TAV), me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore. Por, më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri”.

Sipas ministrisë, “pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi me dy persona të tjerë dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar probleme presidentes. Në të njëjtën kohë ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare”.

Ministria tha se po kryen hetime rreth asaj se çfarë ka ndodhur.

Ndërkaq, kompania TAV tha në një komunikatë se “si operator aeroporti, ka detyrim ligjor të kryejë një kontroll sigurie të të gjithë udhëtarëve, bagazheve dhe mallrave në fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe nga Aeroporti i Ohrit, duke përfshirë ata që udhëtojnë nëpër sallonin VIP. Prandaj, Departamenti i Sigurisë i TAV-it, në kuadër të përgjegjësive, ka kryer kontroll standard të sigurisë së udhëtarit të përmendur si dhe bagazhit të tij, në pikën e kontrollit të sigurisë në sallonin VIP, për të siguruar fluturimin specifik komercial”.

Zëdhënësi Kupina tha se “presidenca e konsideron çdo sulm dhe trajtim të parregullt e në kundërshtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetëror si sulm ndaj vete shtetit të Kosovës. Republika e Kosovës, asnjëherë në historinë e saj, nuk ka trajtuar në mënyrë të tillë Presidentin/Presidenten, Kryeministrin apo Ministrat e Maqedonisë së Veriut e as të ndonjë vendi tjetër e as nuk do të lejojë një ndonjëherë një gjë të tillë”.

About Krye Redaktor

Check Also

Dy dosjet që mund të trondisin Amerikën

Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së Pam Bondi ka njoftuar se dokumentet e shumëpritura që lidhen …