Ballo me maska e radhës e SPAK

Nga Luçiano BOÇI

SPAK po luan në kompjuter lojën e vet, si kohë pushimesh që është. Kërkon nga KQZ informacion për tenderin e “kompjuterëve të vegjël”, pajisjeve elektronike të identifikimit të votuesve.

Bën sikur harron “kompjuterët e mëdhenj” – krimet e mëdha zgjedhore që kanë emër e mbiemër Kryeministrin.

Siç duket me siguri kjo na qenka ajo goditja fatale që lajmëroi ai analisti i mosvarëm në qershor, kur tha: “Prisni se nga mesi i verës (tani jemi drejt fundit) do të dëgjoni çudira!”

Dhe po dëgjojmë!!!

Namin po na bëkërka SPAK-u i partisë. Pa na mbush mendjen se është mbi palët e se po heton zgjedhjet. Domethënë po “i nxjerr ujin e zi krimit zgjedhor”, ashtu siç bëri me dosjet 184 dhe 339 e përgjimet e Bild, të cilat i varrosi buzagaz; siç bëri me bisedat e zbardhura, por të kyçura nga vetë SPAK, në Sky-Encro chat, ku del qartë që Rama e bandat janë një; siç bëri me denoncimet e PD për krimet elektorale të 2023, të cilat ose nuk i prek ose i transferon si dosjen e Dibrës, diku andej nga rrethet;siç bëri me spostimin e votuesve deri dhe në Himarë tani, me blerjet e votave, me përdorimin e administratës, me veprat kriminale zgjedhore të Ramës, me përdorimin e parasë publike për fushatë e shumë të tjera.

SPAK po kërkon informacion për ato pajisje që në 2023-shin u plasën nëpër kamionë e nuk dihet ku përfunduan.

Më saktë, SPAK nuk e di dhe gjithë këtë furtunë në gotë, na e shet si stuhi në det, ndërkohë që s’është asgjë përveçse një ballo me maska në periferinë KQZ, pjesë e oborrit të pushtetit në fund të së cilës KQZ-ja do të diagnostikohet, pas shumë “pjelljeje” rezultatesh të grabitura – e virgjër!

About Redaksia

Check Also

Ata që nuk kënduan…

Nga Lutfi DERVISHI Çfarë do të ndodhte nëse do të reagonim po aq shpejt dhe fuqishëm …