BAN: Pasoja të rënda politike për Shqipërinë për transportin e mbetjeve të rrezikshme, maja e ajsbergut e një skandali më të madh

Çështja e eksportit të një sasie mbetjesh industriale nga porti i Durrësit, që dyshohet se përmbajnë lëndë të dëmshme helmuese, është kthyer në një histori dyshimesh të shumta, me shumë të panjohura. Një hetim i dyfishtë është duke u kryer nga prokuroria e Durrësit në Shqipëri dhe nga zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, në Bruksel, mbi 100 kontejnerë të bllokuar së fundmi në Singapor, me origjinë nga porti i Durrësit. Organizata jo qeveritare amerikane ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ i tha Zërit të Amerikës, se ajo është e bindur se porti i Durrësit, jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera më parë është shfrytëzuar për të nxjerrë nga Shqipëria, rajoni dhe me gjasë edhe nga vende të tjera evropiane, mbetje të rrezikshme helmuese drejt disa vendeve aziatike. Kolegu Artan Haraqija sjell kronikën në vijim.

BAN: Transporti i ‘hirit helmues’ nga Durrësi, maja e një skandali më të madh

Nga Porti i Durrësit, çdo tre apo katër muaj është eksportuar një material që dyshohet se është pluhur helmues i njohur si ‘EAF’, që del nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike. Ky është pretendimi i Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN), me seli në Seattle. Përfaqësuesi i tij, Jim Puckett i tha Zërit të Amerikës se të dhënat që BAN-i disponon janë marrë nga një sinjalizues nga Porti i Durrësit, i cili ka ofruar dëshmi për këtë.

Personi i parë që na sinjalizoi ishte një individ që vëzhgoi transportin e mbetjeve helmuese në portin e Durrësit”

“Para një muaji, ne krijuam një portal, ku individë nga e gjithë bota mund të raportojnë për mbetjet helmuese. Personi i parë që na sinjalizoi ishte një individ që vëzhgoi transportin e mbetjeve helmuese në portin e Durrësit. Ai kishte njohuri se ku shkonte pluhuri helmues dhe dokumentet që tregonin rrugëtimin e ngarkesave”.

Pas marrjes së të dhënave BAN-i thotë se ka kryer hulumtimin e veta dhe arrin në përfundimin se dërgesa të kësaj natyre bëhen rregullisht nga porti i Durrësit.

“Ne ishim në gjendje të konfirmojmë se kontejnerët që raportoi sinjalizuesi, numrat e tyre identifikues, i vërtetuam përmes aplikacionit ‘Google Earth’ , po ashtu përmes imazheve satelitore të Google Earth, lokalizuam vendndodhjen e tyre të saktë duke e krahasuar me dritat dhe rrugët e portit. Kemi tre burime të dhënash të marra në tre kohë të ndryshme. Ne dyshojmë se kjo ndodh çdo tre apo katër muaj.”

Hiri i eksportuar nga porti i Durrësit i takon firmës ‘Sokolaj’ e cila e ka blerë atë nga fabrika e kompanisë Kurum në Elbasan që prodhon çelik dhe hekur. E kontaktuar nga Zëri i Amerikës, firma Sokolaj deri në përgatitje e këtij materiali nuk ka kthyer përgjigje.

Firma turke Kurum, në një deklaratë të bërë më 21 gusht, ndonëse nuk jep sqarim të saktë nëse është ajo shitësja e kësaj lënde, thotë se

“Kurum International asnjëherë nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme ndaj edhe në këtë rast, kjo ngarkesë për të cilën bëhet fjalë nuk është eksportuar nga Kurum International”.

Ky material mund ta ketë origjinën nga vende të tjera të Evropës”

Zoti Puckett thotë se eksportimi i shpeshtë i këtij materiali nga Durrësi, ngre dyshime që ai n uk vjen vetëm nga fabrika e Kurimit, pasi kjo fabrikë nuk është aq e madhe sa të prodhojë sasi kaq të mëdha të pluhurit EAF.

 

 

“Ky material mund ta ketë origjinën nga vende të tjera të Evropës. Kudo ku ka fabrika për shkrirjen e çelikut, krijohet ky lloj hiri. Kompanitë duan ta heqin atë qafe, sepse kostoja është më e lartë për ta menaxhuar siç duhet. Po ashtu edhe zinku që nxirret prej tij nuk është aq i vlefshëm”, thotë zoti Puckett.

Sipas të dhënave që sinjalizuesi i dha Rrjetit të Aksionit të Bazelit, rasti i fundit ishte në muajin korrik, kur material i dyshimtë fillimisht u ngarkua në kontejnerë në Portin e Durrësit. Pasi largohet nga porti i Durrësit, kontejnerët udhëtojnë drejt portit të Triestes, në Itali. Aty kontejnerët ngarkohen në dy anije të tjera transportuese, që i përkasin firmës daneze ‘Maersk’. Prej portit italian, përmes Detit Mesdhe dhe bregdetit të Afrikës malli u nis fillimisht për në Singapor, prej nga do të vazhdonte rrugën për në destinacionin e tij përfundimtar, Tajlandën. Ndërsa malli lundronte në mes të ujërave të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Jugut, një nga dy anijet që e transportonin atë u zhduk nga radarët. BAN-i thotë se kjo ndodhi pikërisht në kohën kur ata ngritën shqetësimin se një ngarkesë me pluhur helmues po transportohej nga Shqipëria për në Azi.

Firma daneze Maersk e konfirmoi për Zërin e Amerikës se sinjali nga një prej anijeve të saj me të vërtetë u ndal, por thotë se kjo nuk u bë për arsyen që ngre si dyshim BAN-i.

Ndërsa situata e sigurisë në ujërat rreth rajonit të Lindjes së Mesme është e ndjeshme, nuk është e pazakontë që disa pronarë anijesh të çaktivizojnë gjurmuesin e tyre”

“Një organizatë jo qeveritare ka spekuluar se pse gjurmuesi i anijes tonë Campton ishte fikur. Ndërsa situata e sigurisë në ujërat rreth rajonit të Lindjes së Mesme është e ndjeshme, nuk është e pazakontë që disa pronarë anijesh të çaktivizojnë gjurmuesin e tyre”.

Kjo lë të kuptojë se mund të jetë bërë për të shmangur një sulm nga grupi militant jemenas, Houthi që prej nisjes së luftës në mes të Izraelit dhe Hamasit ka kryer një mori sulmesh mbi anijet transportuese që kanë lundruar afër Jemenit.

Maersk gjithashtu i tha Zërit të Amerikës se ata vendosën ta transportonin mallin pasi dokumentacioni shoqërues thoshte se ishte i pa rrezikshëm.

“Nëse do të ishte deklaruar se përmban mbetje të rrezikshme, Maersk do të kishte refuzuar ta transportonte. Për shkak të spekulimeve në lidhje me përmbajtjen e tij, Maersk ka bashkëpunuar me autoritetet e Singaporit… Anija jonë Campton ka shkarkuar kontejnerët në Singapor dhe tani ato po riatdhesohen për në Shqipëri nga një kompani tjetër”.

Një tjetër argument që përmend “Rrjeti i Aksionit të Bazelit” për dyshimet e transportimit të këtij materiali nga porti i Durrësit është dërgesa e parafundit që shkoi nga Durrësi për në Kinë. Nga muaji prill, sipas drejtorit ekzekutiv Jim Puckett, kjo dërgesë është bllokuar në një port kinez, afër Hong Kongut.

“Kjo dërgesë u nis nga i njëjtë port. Sipas sinjalizuesit tonë, kinezët e kanë refuzuar atë. Janë 115 kontejnerë nga Shqipëria që ende janë të bllokuar në Kinë. Kinezët e kanë analizuar materialin dhe kanë gjetur nivele të larta të metaleve, përfshirë mbi 8% plumb”, thotë zoti Puckett.

Anije transporti mallrash të kompanisë Maersk

LEXONI EDHE KËTË

Tiranë, qeveria reagon mbi transportin e dyshuar si “mbetje të rrezikshme” drejt Kinës dhe Tajlandës

Dy ministri të qeverisë shqiptare në fundjavë thanë në një deklaratë të përbashkët se “Shqipëria nuk mundet të pranojë apriori rikthimin e ngarkesave të tilla vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekulimeve, pa realizimin e analizave shteruese …”

Nëse konfirmohet se fjala është për hirin që del nga oxhaku i fabrikave metalurgjike, atëherë pasojat, sipas BAN-it janë të rënda, për shëndetin e njerëzve dhe mjedisin, por mund të ketë edhe pasoja politike.

Pluhuri EAF përmban përqindje të lartë metalesh si plumbi dhe kromi dhe mbetje të tjera kimike që shkaktojnë kancer.

Në fotografitë e sinjalizuesit të BAN-it për rastin e muajit korrik, sipas zotit Puckett, shihen grumbuj të hirit që ishin lënë në mjedis të hapur në portin e Durrësit. Fotografi të ngjashme shihen edhe në aplikacionin ‘Google Earth’. Një e tillë, e bërë më 11 tetor të vitit të kaluar, tregon grumbuj të hirit brenda hapësirës së portit të Durrësit.

“Fjala është për një mbetje të rrezikshme nëse nuk trajtohet si duhet. Ju nuk do të donit ta mbani këtë afër fëmijëve apo personave me sëmundje kronike”,tha zoti Puckett.

Prokuroria e Durrësit njoftoi të mërkurën se ka nisur hetimet, në bashkëpunim me Zyrën Evropiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF).

Kjo zyrë nuk pranoi të komentojë.

“Ne nuk jemi në gjendje të japim detaje në lidhje me rastet që OLAF mund të trajtojë pasi duhen mbrojtur të dhënat e çdo hetimi të mundshëm dhe të proceseve të mundshme gjyqësore që do të pasojnë…”, tha për Zërin e Amerikës zyra për informim e OLAF-it.

Dogana shqiptare megjithatë e konfirmoi për Zërin e Amerikës se ishte OLAF-i ai i cili e njoftoi Strukturën Antitrafik të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për rastin. Kjo zyrë gjithashtu nuk pranoi të komentojë, pasi rasti tani është nën hetim. As kompania gjermane ‘EMS Shipping’ që menaxhon një pjesë të portit të Durrësit, pikërisht pjesën ku bëhet ngarkimi i këtij materiali në kontejnerë, nuk pranoi të bëjë komente.

“Duke qenë se rasti është nën hetim nga autoritetet me të cilat po bashkëpunojmë plotësisht, nuk mund të komentojmë detajet e rastit derisa të përmbyllet”.

Rrjeti i Aksionit të Bazelit thotë se ishin ata që e njoftuan OLAF-in për rastin.

“Ne i jemi shumë mirënjohës OLAF-it dhe prokurorisë në Shqipëri që po merren me këtë rast, pasi unë kam përshtypjen që kjo është maja e një skandali shumë më të madh”, thotë Drejtori Ekzekutiv i BAN-it, Jim Puckett.

Pasojat politike, nëse konfirmohet pretendimi i organizatës amerikane, mund të jetë shkelja e Konventës së Bazelit, Traktatit të Kombeve të Bashkuara, që rregullon tregtinë e mbetjeve të rrezikshme. Vendet nënshkruese të konventës, një prej të cilave është edhe Shqipëria, nuk lejohen të dërgojnë mbetje helmuese tek një vend tjetër, nëse nuk marrin paraprakisht miratimin nga vendi mikpritës.

Qeveria shqiptare i hodhi poshtë gjatë fundjavës akuzat se ajo nuk ka vepruar në lidhje me rastet e dyshuara.

Në deklaratën e përbashkët të dy ministrive të qeverisë shqiptare thuhet se Shqipëria është klasifikuar si një vend i sigurt, pasi është verifikuar dhe çertifikuar në disa inspektime ndërkombëtare përgjatë viteve të fundit.

“Unë do të këshilloja që Shqipëria të marrë përgjegjësinë për atë që po ndodh në portin e Durrësit. Dikush duhet të analizojë ato grumbuj që gjenden në port dhe mallin që po kthehet nga Singapori. Por unë e them me 95% siguri se fjala është për hirin EAF, të cilin të gjithë në industrinë metalurgjike e njohin si mbetje helmuese”, thotë për Zërin e Amerikës, Jim Puckett, Drejtor Ekzekutiv i Rrjetit të Aksionit të Baselit.

Zoti Puckett thotë se e kupton që Doganat mund të jenë mashtruar nga eksportuesit, të cilët mund ta kenë deklaruar atë si material të parrezikshëm, por:

“Është shumë e dyshimtë se si mund ndodhë kjo gjë para syve të tyre. Unë jam i sigurt se kjo është një histori më e madhe që përfshin shumë eksporte që nuk janë vërejtur më parë dhe që ndoshta e kanë burimin diku në Evropë, apo edhe në vende të tjera. Unë nuk besoj që kjo histori ka marrë fund”.

Odiseja e këtyre mbetjeve është vetëm në hapat e parë, ndërsa pritet përfundimi i analizave laboratorike se çfarë përmban në të vërtetë malli në kontenierët që po udhëtojnë për t’u rikthyer në Shqipëri.

 

Në këtë artikull kontribuan edhe korrespondentët Armand Mero, Ilirian Agolli dhe Raimond Kola

About Krye Redaktor

Check Also

Takimi i Ramës në Dubai me kartelin e drogës “Sinaloa” dhe bosët e krimit

Dubai është një nga vendet e preferuara të Ramës. Ai viziton shpesh Dubain, natyrisht jo …