Nga Lindita Selala Toma
Ikja masive e njerëzve nga Shqipëria drejt vendeve të Europës për një jetë më të mirë po boshatis edhe institucionet arsimore. Në zonën e Kurbinit, shkollat po rrezikojnë të kthejnë klasat kolektive, pasi këtë vit janë larguar shumë të rinj. Ekspertët dhe shifrat zyrtare tregojnë një rënie të konsiderueshme të numrit të nxënësve në arsimin parauniversitar.
Teksa është investuar në shkolla të reja për shkak të Tërmetit mësues të institucioneve arsimore janë të shqetësuar për mungesën e nxënësve. Një nga objektet arsimore të zonës është shkolla “Demokracia”. E rindërtuar pas dëmtimit nga tërmeti tragjik i nëntorit 2019, kjo shkollë përballet tani me një tjetër problem: MUNGESA E NXËNËSVE.
Për shkak të mungesës së nxënësve po rrezikohet mbyllja e klasave dhe rikthimi i klasave kolektive. Aktualisht, shkolla ka një kapacitet prej 200 nxënësish, por frekuentohet nga thuajse gjysma e tyre. Në klasën e parë këtë vit janë vetëm 4 nxënës.
Rrezikohet mbyllja e klasave dhe bashkimi i tyre në klasa kolektive. Ka 4-5 vite që ndihet ky emigracion, por sivjet ka pasur më shumë ikje se kurrë më parë.
Fenomeni i largimit të të rinjve ndihet edhe në shkollën 9-vjeçare “Gjokë Elezi”. Nga kjo shkollë ka një rënie të ndjeshme të numrit të nxënësve krahasuar me një dekadë më parë.
Në vitin 2012 ka patur rreth 700 nxënës, ndërsa sot ka rreth 470. Ndihet shumë largimi, sepse çdo vit shihet ulje të numrit të tyre.
Për shkak të numrit të ulët të nxënësve, shkolla 9-vjeçare “Cub Capani” në Kurbin funksionon me klasa kolektive. Në këtë shkollë janë 91 fëmijë që ndjekin procesin mësimor në klasa kolektive.
Gjimnazi “At Shtjefen Gjeçovi”, i cili ka pasur 8 paralele klasash, këtë vit ka gjysmën e këtyre klasave.
Pavarësisht Investimeve të bëra sa vlejnë këto investime ku çdo vit numri i Nxënësve po bie?
Në këtë kontekst të sfidave të shumta dhe ndryshimeve në sektorin arsimor, urimet për vitin e ri shkollor janë më të rëndësishme.
Sot, në ditën e parë të shkollës, dërgojmë urimet më të përzemërta për vajza, djem, mësues dhe mësuese që nisin garën e dijes këtë vit shkollor! Një urim të veçantë për vogelushët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës!


Gazeta RD