Skandal/ Dyqanet “KFC” kanë shitur mish pule të infektuar me salmonelë! Jeta e konsumatorëve në rrezik

Në rrjetin e dyqaneve “KFC” në Shqipëri është shitur mish pule i infektuar me salmonelë.

Ky bakter shkakton kontaminimin  e ushqimit, ndërkohe që personat e prekur nga salmonela kanë disa simptoma midis të cilave  të vjella, dhimbje koke, të dridhura, gjak në jashtëqitje dhe infeksion të zorrëve.

Alarmin për mishin e pulës me salmonelë në rrjetin “KFC” e ka lëshuar portali “RASFF” i Bashkimit Evropian, i cili bën shkëmbim informacioni në kohë reale sapo konstaton risk në zinxhirin ushqimor.

Njoftimi është bërë në datën 8.7.2024, duke bërë me dije mishi i pulës i marinuar “KFC” me prezencë salmonele përbën risk me ndikim serioz  për shëndetin e njeriut.

Televizioni “Ora News” iu drejtua Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) me një kërkesë për informacion ku u parashtruan pyetjet:

Sa ka qenë sasia e  këtij produkti e importuar në vendin tonë?

Sa është sasia që u tërhoq nga tregu?

Ky institucion na bën me dije se: “Janë importuar 1535.04 kg mish pule dhe është bllokuar nga inspektorët e AKU-t vetëm 177.12 kg”.

Deri në momentin që është bërë bllokimi në dyqanet “KFC” është shitur 1357 kg mish pule  me bakterin e salmonelës.

Edhe pse në faqen zyrtare “KFC” shprehet se tregon shume kujdes në përzgjedhjen e pulave dhe zinxhirin e furnizimit, nuk dihet çfarë ka ndodhur që dyqanet i kanë tregtuar për klientët  mish pule me bakterin e salmonelës,  i cili nga BE është cilësuar me risk serioz në shëndetin e njeriut.

Duke u nisur nga situata, televizioni “Ora News” ka kërkuar edhe një qëndrim nga rrjeti “KFC” në Shqipëri.

Përfaqësuesi i këtij rrjeti na bën me dije se pas marrjes së informacionit kanë bërë inspektime në magazina dhe kanë  asgjësuar mishin e pulës me prezencë salmonele.

Edhe pse sasia e mishit të pulës me salmonele e shitur ka qenë 1357 kg përfaqësuesi i “KFC”-së në Shqipëri nuk mbajti asnjë përgjegjësi për tregtimin e një produkti që  ka  rrezikuar jetën e konsumatorëve. /oranews

About Redaksia

Check Also

Si deputetët e “Vetëvendosjes” injoruan fjalimin e Ramës në Parlamentin e Kosovës

Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës ku po mbahet një …