Një oficere e Policisë Gjyqësore, pranë Prokurorisë së Elbasanit, u arrestua me urdhër të SPAK, me akuzën e kryerjes së veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
Në njoftim zyrtar thuhet se, SPAK ka lëshuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” të firmosur dhe nga GJKKO, për oficeren e Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Elnasanit, Anila Dushku.
Kjo e fundit u denoncua mbrëmjen e 10 shtatorit nga emisioni “Fiks Fare” për një rast korrupsioni. Anila Dushku i mori 1 mijë euro ryshfet 68-vjeçares Hava Lloga, me premtimin për “t’i mbaruar” punë, për t’i mbyllur çështjen gjyqësore.
Hava Lloga para disa vitesh ishte proceduar penalisht dhe u dënua me 2 muaj arrest shtëpie për ndërtim pa leje, për shkak se ndërtoi një banesë për vete dhe djalin në fshatin Qendër Librazhd.
68-vjeçarja shkoi dhe ia dha me zarf 1 mijë eurot oficeres së Policisë Gjyqësore, Anila Dushku dhe kjo e fundit i tha se vendimi do t’i vijë me zarf, që do t’i njoftohej mbyllja e çështjes.
Ndërkohë, në vendimin e prokurorit Xhelian Seferi shkruhej se ndërtimet janë pa leje, por ato ndërtime janë bërë para datës 31 mars 2024 dhe vepra penale “ndërtim i paligjshëm” është amnistuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Pra, qytetarja i ka paguar OPGj-së shumën prej 1 mijë eurosh, megjithëse vepra penale ishte amnistuar dhe prokuroria duhet të kishte marrë vendim shumë kohë më përpara!