Kush e kërcënoi Ramën që të kthente Bllakon dhe si u largua nga Shqipëria!

Arben Rrozhani

Më 31 mars 2022, Policia e Shtetit zbatoi urdhër arrestet e zyrtarëve të akuzuar nga SPAK në dosjen e inceneratorëve. Pëllumb Abeshi, drejtor në Ministrinë e Mjedisit, pasdite hyri me pranga në duar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Por mungonte Alqi Bllako, që kishte dorëzuar mandatin e deputetit dhe kishte shpallur gadishmërinë për t’u përballur me drejtësinë pa imunitet.

Pasdite vonë policia e Tiranës deklaronte se kishte shkruar në banesën e ish-deputetit për ta shoqëruar, por nuk e kishte gjetur. Ndërsa paraditen e 1 prillit Policia e Shtetit dilte me një deklaratë zyrtare duke thënë se: “Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, informon publikun se përkundër disa lajmeve të rreme mbi arratisjen e shtetasit Alqi Bllako, ky shtetas ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme. Vendimi i gjykatës për caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit Alqi Bllako i është dhënë për ekzekutim strukturave të Policisë së Shtetit. Vendimi është ekzekutuar nga Policia e Shtetit në orën 03.30 të datës 01.04.2022.

Por ku ishte Bllako gjatë këtij intervali kohor të konsiderueshëm që shkaktoi ankth, akuza për policinë dhe reagim nga diplomatët e huaj në Tiranë?

Një burim i tha gazetës “Shekulli” se Alqi Bllako kaloi më 31 mars kufirin me Malin e Zi, me një pasaportë me emër tjetër, pas një bisede që kishte bërë me Mirel Mërtirin, atë që konsiderohet si “boss”-i i incineratorëve dhe për të cilin nuk ka ende asnjë masë nga drejtësia shqiptare, ndërsa administratorët e dy kompanive të incineratorëve, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Lajmin për arratisjen e tha edhe ish-kryeministri Sali Berisha, mbrëmjen e 4 prillit, gjatë një bisede televizive, por ai dha një koordinatë 180 gradëshe, duke e arratisur në Greqi, kur u shpreh se ditën kur u dha urdhër-arresti për Alqi Bllakon, ky i fundit ishte larguar në Greqi dhe më pas u soll me helikopter. “Thonë që ai kaloi në Qaftë Botë me një Ergys, njeri i afërt i Edi Ramës dhe thuhet se njeriu i fundit që ka takuar në vilën 30 apo 31 ka qenë vetë Edi Rama, çka këtë unë nuk e di se duhet të kem fakte. Por një gjë është e sigurt se Policia e Shtetit mashtroi opinionin publik duke deklaruar se Alqi Bllako mbrëmë ka qenë në Polici, në një kohë kur ai ishte kthyer, ishte vetëdorëzuar në polici në orën 2 e 10 minuta sipas burimeve dhe prokuroria për këtë reagoi zyrtarisht.  Nëse ai nuk do gjendje do shpërthenin protestat. Shkuan e gjendet, dikush thotë në Greqi”, ishte shprehur ish-kryeministri tre ditë më parë.

Qëndrimi i Bllakos në vend fqinj verior, ndërsa duhej të ishte i shoqëruar me pranga në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, shkaktoi edhe furtunën në Tiranë. Sipas informacioneve të gazetës “Shekulli” një seli diplomatike në Tiranë kërkoi me ngulm nga kryeministri Rama që Bllako të sillej në Tiranë, kudo që të ishte, ndryshe do të viheshin në pikëpyetje marrëdhëniet mëse të ngrohta me qeverinë.

Pas këtij ultimatumi, kryeministri Rama telefonoi ish-deputetin dhe, pas një bisede me fjalor aspak të denjë, iu kërkua që të kthehej urgjentisht në Tiranë.

Ahtu siç edhe ndodhi, për ta çuar një ditë më pas drejt qelisë së burgut, ku do të vuajë masën e dënimit “arrest me burg”, në pritje të procesit gjyqësor që do të nxjerrë shumë prej lidhjeve të qeverisë me skandalin e incineratorëve, ku ajo e Alqi Bllakos është vetëm njëra prej firmave.

 

About Redaksia

Check Also

Trump sulmon prokurorin: Do hetohet, është i korruptuar, mund të ekzekutojë njerëz

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar se ish-kryeprokurori i Zyrës së Prokurorit të …

Leave a Reply