Ish-deputeti socialist, Ergys Çyrbja, është takuar me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, pas daljes nga Prokuroria e Posaçme.
Burime për A2 CNN bëjnë të ditur se Çyrbja i ka shkuar në zyrë Manjës. Mëngjesin e të premtes, Çyrbja u mor i pandehur nga SPAK, i akuzuar për “shpërdorim detyre”.
Të enjten ai dorëzoi mandatin e deputetit.
Kjo lëvizje e tij u lexua si manovër për të shmangur hetimin nga SPAK.
Një ditë pasi dha dorëheqjen nga mandati i deputetit Jurgis Çyrbja u paraqit paraditen e kësaj të premteje në SPAK. Këtë herë ai ka qenë i shoqëruar nga avokatja e tij Brunilda Kullolli.
Ndaj socialistit në prill të 2021 ka bërë kallëzim nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka. Ky i fundit pretendonte se Çyrbja kishte shpërdoruar detyrën si drejtues hipoteke dhe se para zgjedhjeve të prillit 2021, kur ishte kandidat për deputet, kishte shpërndarë certifikata legalizimi.
Mandati i deputetit i takon Erjon Mekës, pasi Denis Deliu dhe Arkend Bala kanë marrë mandatin e deputetit pas Lefter Kokës dhe Rrahman Rrajës.