Baçi: Rama do një Shqipëri pa opozitë, protesta tregoi se PD është alternativa e vetme për një rotacion politik

Në tubimin qytetar për mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha, deputeti Luan Baçi theksoi nevojën për të kundërshtuar regjimin aktual dhe për të garantuar një rrotacion politik në Shqipëri.

Ai kritikoi qëndrimin e kryeministrit Edi Rama ndaj opozitës, duke e akuzuar atë për sulme sistematike që kanë filluar me shpalljen “non grata” dhe për përpjekjet për të shkatërruar Partinë Demokratike. Baçi e përshkroi situatën si një sfidë për qytetarët dhe theksoi se protestat e vazhdueshme janë dëshmi e qëndresës së opozitës, që ndonëse është goditur, vazhdon të mbijetojë dhe të kërkojë një Shqipëri më të mirë. Ai nënvizoi se opozita duhet të reagojë fuqishëm përballë veprimeve jo demokratike të qeverisë dhe të bëjë të qartë mesazhin e saj për të gjithë ata që ndjekin situatën në vend.

“Mos harrojmë sesi Rama ka nisur sulmin ndaj opozitës që me shpalljen “non grata” para 4 vitesh, duke lobuar me sorrosistët dhe duke u përpjekur të mos lejojë Partinë Demokratike në rithemelin e saj, duke e goditur fuqishëm atë. Na la 3 vite pa sigël, pa flamur, pa emrin e PD, me idenë se do t’na zhduknin, por u zhgënjyen sepse Partia Demokratike diti të mbijetojë dhe diti të tregojë se ne jemi opozita, ne jemi alternativa e vetme për pushtet, alternativa që garanton rrotacionin politik aq të domosdoshëm për këtë vend.

Çfarë kemi bërë ne gjatë kësaj periudhe? Në fakt, kemi kundërshtuar, kemi denoncuar, kemi qëndruar, kemi ngritur zërin, por çfarë kemi arritur? Protestë pas proteste, me mijëra demokratë kanë mbushur sheshet, por Edi Rama absolutisht nuk ka lëvizur asnjë centimetër nga vendimmarrjet e tij. Përkundrazi, ka vazhduar të presionojë, të shantazhojë dhe të luftojë Partinë Demokratike dhe deputetët e saj, si dhe eksponentët e Partisë Demokratike.

Edi Rama është i qartë në synimet e tij; ai do një Shqipëri pa opozitë. E vetmja datë që ndryshoi ka qenë data 7 tetor, një protestë krejt të veçantë sipas kërkesave të qytetarëve opozitarë, anëtarëve të PD.

Pse duhet t’i përgjigjemi më mjete demokratike kur ai na sulmon dhe lufton pa mjete jo demokratike e jo ligjore, duke shkelur Kushtetutën? Ne duhet të përballemi dhe t’u themi ndërkombëtarëve se nuk është dhunë djegia e disa karrigeve para parlamentit dhe as hedhja e molotovëve drejt institucioneve përgjegjëse; është dhunë zbrazja e këtij vendi”, u shpreh Baçi.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Rama shkoi vetë në Bordin e Paqes, pasi Harami është skllavi i tij!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për mediat komentoi vizitën e kryeministrit …