CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

Greva e vetmuar e ish-të përndjekurve politikë për dëmshpërblimet, tani shteti po u grabit edhe godinën

Një grup personash të përndjekur gjatë diktaturës kërkojnë përmes grevës së urisë zgjidhje për probleme të ngelizhuara sipas tyre për vite me radhë, ndërsa ngrenë alarmin se godina përballë parlamentit, që u shërbeu atyre për vite me radhë, po tjetërsohet pas rikonstruksionit.

Nga Vladimir Karaj-BIRN

Agim Kollçaku, 68 vjeç, tentoi të arratisej nga Shqipëria komuniste në mesin e viteve ’80 – një përpjekje që i kushtoi atij një dënim prej 15 vitesh burg. Ai vuajti gjashtë vite dhe punoi në nxjerrjen e piritit nga miniera e Qafë Barit, derisa u lirua me rënien e komunizmit në vitin 1991.

‘Kam pas qit 40 ton pirit në ditë, por më është njoft dëmshpërblim vetëm 1700 lekë ditë pune,’ thotë Kollçaku, i ulur në monumentin që përkujton vuajtjet e të dënuarve politikë në Shqipëri.

Për herë të dytë në 12 vite, Kollçaku është futur sërish në grevë urie, pasi siç thotë ai, institucionet nuk reagojnë dhe kërkesat e tyre mbeten pa përgjigje. Ai dhe bashkëvuajtës të tjerë kanë sajuar një çadër në oborrin e godinës së ish-të përndjekurve politikë në qendër të Tiranës dhe kanë shpallur prej gjashtë ditësh grevën e urisë.

Kur BIRN e vizitoi çadrën e improvizuar të martën, bashkë me Kollçakun ishin Petrit Lipo, 66 vjeç, Vernemin Ranxha, 70 vjeç dhe Anton Çupi, 83 vjeç.  Ata kërkojnë rishikim të masës së dëmshpërblimit për ditët e burgut, dhënien e pensioneve suplementare dhe rikthimin e godinës që u ka shërbyer për vite me rradhë të persekutuarve në funksion të tyre.

Mijëra shqiptarë u dënuan dhe vuajtën në burgjet e diktaturës prej vitit 1944 deri në 1991, ndërsa një pjesë dërrmuese e tyre u detyruan të kryenin punë të rënda pa pagesë, përfshi kanalizimet në tharjen e kënetave, ndërtim të pallateve dhe shfrytëzimin e minierave. Për vitet e burgut, të konsideruara si dënime politike dhe punë e papaguar, qeveritë e pas diktaturës miratuan një sërë procesesh dëmshpërblimi, të cilat u ndanë në këste dhe shpeshherë u dhanë me vonesë.

Ligji i fundit i vitit 2007 parashikoi një pagesë prej rreth 1700 lekësh për ditë burgu për të dënuarit politikë, por për shkak se për këtë qëllim alokoheshin në buxhetin e shtetit vetëm një sasi e vogël parash, procesi u zvarrit për vite me radhë.

Zvarritja e dëmshpërblimeve

Image

Tre dekada pas rënies së komunizmit, cikli i dëmshpërblimit financiar të ish-të përndjekurve politikë ende nuk është përmbyllur.

Sipas Institutit të Integrimit të Ish të Përndjekurve Politikë, (IIPP), një institucion publik që merret me trajtimin e të dënuarve dhe përndjekurve, ende mbeteshin 53 persona që vazhdonin të tërhiqnin këstet e dëmshpërblimeve si përfitues parësorë, drejtpërdrejt të dënuar. Disa mijëra trashëgimtarë të të dënuarve politikë janë po ashtu në të njëtin proces, ndërsa qindra të dënuar politikë u ndanë nga jeta pa u dëmshpërblyer.

Grevistët thonë se kjo zvarritje e gjatë ndikoi jetën e tyre, ndërsa ankohen se dëmshpërblimi i dhënë ishte shumë i vogël dhe këmbëngulin që legjislaciojni të rishihet në këtë pikë.

Kollçaku i tha BIRN se ai dhe grevistët e tjerë e kanë marrë dëmshpërblimin, por paratë e marra kanë qenë të pamjaftueshme për të përmirësuar jetën e tyre.

‘Mora 3 milion për 6 vjet dënim,’ thotë ai, duke i konsideruar paratë e marra mbi 25 vjet pas përfundimit të dënimit si të papërfillshme.

Ata kërkojnë po ashtu që të trajtohen me pension suplementar për shkak të punës së rëndë që kanë bërë gjatë dënimit dhe pamundësisë për t’u integruar.

Kollçaku thotë se trajtimi i tyre vijon të jetë i njëjtë si në kohën e diktaturës, pasi nuk u merren në konsideratë nevojat dhe problematikat që u ka sjellë dënimi politik dhe ndjehen të braktisur.

‘Çfarë pasojash kemi ne nga regjimi diktatorial dhe jemi bo të themi që jemi më keq tani. Po bëhemi si ai populli që thotë ishim mirë me ‘Dullën’ (Diktatorin Enver Hoxha)’, thotë ai.

‘Unë marr 160 mijë lekë (të vjetra) pension. Gruan e kam pa punë. Nga këta dëgjoj vetëm fjalë të mira, por asgjë nuk bëhet,’ shtoi ai, ndërsa shpjegon se jeton në vështirësi të mëdha ekonomike dhe pamundësi për të mbuluar shpenzimet e jetesës.

Sipas tij dhe grevistëve të tjerë, nëse u njihet e drejta për pension suplementar, ata do të merrnin një rritje prej 5 mijë lekësh në muaj, që do të lehtësonte problemet ekonomike dhe sociale që hasin. Ata thonë se pa u pranuar këto kërkesa, nuk do ta lënë grevën.

Megjithatë, jo të gjithë ish-të përndjekurit i mbështesin në këtë protestë.

Etem Fezollari, kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Ish- Të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë i tha BIRN se zgjedhja e tyre është ‘radikale dhe e paarsyeshme’. Ndërsa u jep të drejtë për vuajtjet dhe për zvarritjen me vite me radhë të dëmshpërblimit, Fezollari thotë se futja në grevë është e pamenduar dhe e pakonsultuar.

‘Nuk është e arsyeshme’, thotë ai ndërsa shton se janë shkelur rregullat e shoqatës. Fezollari thotë se ata janë në negociata me qeverinë për kalimin e një statusi që plotëson kërkesat e grevistëve.

‘Unë di që kemi biseduar me kryeministrin dhe kryetaren e Parlamentit. Është duke u negociuar dhe mendoj që është në rrugë të mbarë’, tha ai.

Fezollari thotë se nga të dhënat që ai ka vetëm rreth 380 të dënuar politikë janë ende gjallë.

‘Godina po tjetërsohet’

Image

Godina që për vite me radhë ka shërbyer si shtëpi për Institutin e Integrimit të Ish të Përndjekurve Politikë, (IIPP) si dhe për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, një institucion i pavarur në varësi të Kuvendit të Shqipërisë, u boshatis pas tërmetit të vitit 2019 për shkak të dëmeve që pësoi.

Godina u rikonstruktua dhe u rehabilitua me fonde të Bashkimit Europian, përmes programit EU4Culture. Por vite pas rehabilitimit, godina mbetet e zbrazur ndërsa institucionet e lidhura me ish-të përndjekurit, për nder të të cilëve para godinës ka një monument dhe një pllakatë përkujtimore, janë vendosur në mjedise të tjera me qira.

Kthimi i godinës me funksionet që ajo kishte është një prej kërkesave të grevës. Kollçaku i tha BIRN se godina, një vend ku ata janë mbledhur për vite me radhë, po tjetërsohet dhe se kjo për ta është e papranueshme për shkak të simbolikës që mbart.

I pyetur nga BIRN, Bilal Kola, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit për Integrimin e Ish të Përndjekurve Politikë, tha se ata nuk kishin vendimmarrje në këtë proces. Kola tha se ai dëshironte që institucioni të rikthehej në godinë, por kjo kërkesë ishte refuzuar.

‘Kam një komunikim nga ministra e linjës, që thotë do i kthehet pronarit,’ tha Kola, duke referuar si pronar Ministrinë e Kulturës.

Edhe Çelo Hoxha, që drejton Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, tha se ata kishin kërkuar rikthimin në godinë, por ishin pa përgjigje prej shumë kohësh.

Ai tha se kishte një korrespondencë me Ministrinë e Kulturës dhe Kuvendin e Shqipërisë dhe se do u shkruante sërish këtyre institucioneve, por deri sëfundmi nuk kishte marrë përgjigje.

‘Ndryshimi i qëllimit të godinës do duhej të bëhej me Vendim të Këshillit të Ministrave, pasi hapësira në godinë na është dhënë përmes një vendimi të tillë,’ tha Hoxha.

About Redaksia

Check Also

Vrasja e 14-vjeçarit/ Prindërit e Martinit letër ambasadës së SHBA dhe kreut të opozitës, Berisha

Prindërit e 14-vjeçarit, Martin Cani, i cili u ther me thikë në shkollën “Fan Noli” …