Deputetja e PD, Albana Vokshi, ka reaguar pas dhunës së gardës edhe ndaj grave deputete. Vokshi i kërkoi Spiropalit të tregojë se kush e mban peng këtë parlament.
“A i patë skenat? Gratë deputete me urdhër të një gruaje deputete, Elisa Spiropalit, u ndaluan fizikisht nga garda.
Neni 122 e ka fare të qartë që garda merr urdhër vetëm nga kryetari i Kuvendit, pavarësisht se Elisa thoshte se nuk janë urdhrat e mia, dikush tjetër jep urdhra. Atëherë të në thotë Elisa Spiropali, kush e mban peng ketë parlament.
Parlamenti nuk është më i përfaqësuesve të popullit. Parlamenti është dhunuar nga ata që janë bërë palë me krimin e organizuar dhe me bandat.
Shikoni se si i kanë vëne hekurat. Është kthyer në një burg të sigurisë së lartë. Cili parlament i botës mban të tillë hekura…?”, tha Vokshi.