Nga Eduard HALIMI
Ka një interes të madh te publikut rreth vendimit të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese ndaj dosjeve voluminoze të ardhura nga organet ligjzbatuese franceze dhe belge rreth Sky ECC dhe Encrochat. Ndaj çdo lajm që lidhet me të prodhon interes, entuziazëm, herë nga njëra anë e herë nga ana tjeter. Për mua ky ushtrim juridik që po tentohet të bëhet në Gjykatën Kushtetuese do ishte rutinor sikur mos ishim aq skeptikë ndaj drejtësisë sonë, tundimit të saj për të shërbyer herë politikës dhe herë segmeteve ekonomike dhe krimit të organizuar. E duke lexuar ato që përshkruhen në publikimet e mediave rreth Metamorfoza 1, 2 dhe 3 mes krimit, politikës, drejtësisë, shqetësimi i mediave është normal. Them se ushtrimi do dukej rutinë pasi është bërë dhe po bëhet kudo ne sistemet ligjore në Europe ku standartet e drejtësisë janë vite larg kësaj tonës. Grupet e fuqishme të krimit të organizar dhe andej paguajnë studiot më të fuqishme ligjore dhe avokatët janë në të drejtën e tyre të mbrojnë klientët. Opinioni im i ftohtë dhe larg emocionit ka qënë i qartë prej fillimit: Operacioni policor mes Anglisë, Frances dhe Belgjikës për grumbullimin e të dhënave nga SKY ECC mbetet operacioni më fantastik në historinë e drejtësisë europiane në raport mes sigurisë publike dhe të drejtave private mes krimit të organizuar dhe autoriteteve ligjzbatuese. Fatmirësisht të njëjtën qasje duket se ka patur edhe sistemi gjyqesor italian, belg, francez, gjerman, hollandez deri dhe Gjykata e Drejtesisë (ECJ Luxenburg) dhe se fundi edhe Gjykata e Strasburgut (ECHR) Ndaj nuk shoh se ka ndonjë gjë për tu entuziazmuar pas daljes së arsyetimit të vendimit unanim të GJEDNJ-së, më 24 shtator 2024, që flet për provat e marra sipas EncroChat. Ne thelb ky vendim është në të njëjtën linjë si vendimi i ECJ, (Luxembourg), më 30 prill 2024, (artikulli im rreth tij publikuar ne media) që duket se konfirmohet edhe nga vetë GJEDNJ në vendimin e saj te fundit.
Situata është disi e ndryshme për Shqipërinë, për shkak se GJED ka juridiksion vetëm mbi vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ndërsa vendimet e GJEDNJ-së megjithëse nuk kanë efekt detyrues mbi gjykatat shqiptare në rastet kur ato nuk kanë të bëjnë direkt me Shqipërinë, si një vend nënshkrues i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), Shqipëria ka detyrimin të sigurojë respektimin e të drejtave dhe lirive që parashikon Konventa.
Gjykatat kombëtare nuk janë të detyruara të zbatojnë drejtpërdrejt vendimet e GJEDNJ-së që kanë të bëjnë me vende të tjera. Megjithatë, ato pritet të marrin në konsideratë praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së gjatë interpretimit dhe zbatimit të KEDNJ-së, pasi kjo Konventë përbën një pjesë të rëndësishme të detyrimeve ligjore të shteteve nënshkruese, përfshirë Shqipërinë. Gjykatat shqiptare pritet të përdorin jurisprudencën e GJEDNJ-së si autoritet orientues për të siguruar që vendimet e tyre të jenë në përputhje me interpretimin e Konventës.
Në vendimin e saj të fundit më 24 shtator 2024, publikuar së fundmi, GJEDNJ ka trajtuar një nga çështjet më të rëndësishme për hetimet penale ndërkombëtare, duke nxjerrë në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar.
Të dy aplikantët A.L dhe E.J u ndodhën përballë procedimeve penale në Mbretërinë e Bashkuar, të lidhura me përdorimin e EncroChat. Aplikanti i parë u arrestua më 18 qershor 2020, pas identifikimit të tij si urdhërues për trafikun e drogës, duke përfshirë 10 kg heroine dhe 10 kg kokainë, që rezultuan nga përgjime të bazuara në të dhënat e EncroChat. Ndërsa, aplikanti i dytë, i arrestuar më 16 qershor 2020, u akuzua për komplot për furnizimin e drogës dhe planifikimin e vrasjeve. Të dy procedimet ishin ende në proces, me vendime të ndryshme që vlerësonin ligjshmërinë e provave. Provat kundër tyre ishin mbledhur përmes përgjimeve të realizuara nga platforma e koduar EncroChat, një platformë e përdorur gjerësisht nga organizatat kriminale për të shmangur mbikëqyrjen e autoriteteve ligjore. Kjo platformë ofronte një nivel të lartë sigurie për mesazhet e përdoruesve, duke u bërë një mjet kryesor për aktivitetet kriminale ndërkombëtare.
Pavarësisht se aplikantët pretenduan se kapja e të dhënave të tyre shkelte të drejtat e privatësisë, gjykatat britanike përdorën këto prova për të justifikuar arrestimin dhe ndjekjen penale. Kjo qasje ka gjetur mbështetje të gjerë ndërkombëtare, sidomos përballë sfidave që paraqet krimi i organizuar.
* Vlerësimi i GJEDNJ. Lufta ndaj krimit të organizuar: Një prioritet mbi të Drejtat e Privatësisë?
Të dhënat në lidhje me përdoruesit e EncroChat në Mbretërinë e Bashkuar u mblodhën nga hetuesit francezë dhe më pas u transmetuan autoriteteve britanike, duke pasur si burim si mbledhjen ashtu edhe ndarjen nga territori francez. Gjykata e konfirmon se natyra personale e të dhënave të kapura, të cilat mundësuan identifikimin e individëve, imponon obligime mbi Francën për të respektuar të drejtat e personave të përfshirë. Për më tepër, GJEDNJ u shpreh ky përfundim është në përputhje me praktikën gjyqësore të GJED-së, sipas së cilës parimi i njohjes reciproke të vendimeve dhe vendimeve gjyqësore i ndalon autoritetet që kanë lëshuar një VNM me qëllim të transmetimit të
të dhënave të tilla si provë nga rishikimi i rregullsisë së procedurës së veçantë me të cilën ato prova u mblodhën në shtetin anëtar ekzekutues.[1]
GJEDNJ mori në shqyrtim veprimet e autoriteteve franceze, të cilat ishin përgjegjëse për “kapjen” e të dhënave nga EncroChat. Të dhënat u mblodhën përmes një sulmi të sofistikuar kompjuterik të autorizuar nga magjistratët francezë (Gjykata e Lilës) dhe u ndanë më pas me autoritetet britanike. E rëndësishme është që Gjykata vendosi që përgjegjësia për mbledhjen dhe respektimin e të drejtave të individëve bie mbi Francën, duke qenë se veprimet fillestare ndodhën në territorin francez. Kjo pavarësisht se efektet e përdorimit të këtyre provave ndihmuan në procedimet penale në Mbretërinë e Bashkuar
Ndërhyrja në komunikimet private të atyre që janë të përfshirë në krime të rënda a mund të shihet si shkelje e të drejtave të njeriut, apo si një mjet i nevojshëm për të siguruar që ligji të zbatohet dhe siguria publike të ruhet?
* Juridiksioni, mbikëqyrja ndërkombëtare dhe e drejta për një gjykim të drejtë
Gjykata theksoi që, ndonëse juridiksioni është kryesisht territorial, shtetet mund të ushtrojnë autoritetin e tyre jashtë territorit në rrethana të caktuara. Në këtë rast, ndërhyrja e autoriteteve franceze për të kapur të dhënat nga EncroChat dhe përdorimi i këtyre të dhënave përtej territorit të tyre, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, përbën një ndërhyrje që i atribuohet Francës. Vendimi thekson se të dhënat personale të kapura, të cilat përfshinin identifikimin e përdoruesve, ngarkonin Francën me detyrimin për të respektuar të drejtat e individëve të përfshirë, sipas Kartës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.pp
Gjykata gjithashtu u shpreh se kapja dhe përdorimi i këtyre të dhënave duhej të përmbushnin standardet ligjore ndërkombëtare, veçanërisht në kontekstin e mbrojtjes së privatësisë dhe të drejtës për një proces të drejtë. Ky vendim përforcon parimin se mbledhja e të dhënave nga shtete të ndryshme nuk duhet të bëhet në kundërshtim me të drejtat e njeriut, pavarësisht nga graviteti i krimit të dyshuar por është detyrë e autoriteteve të verifikojnë standartet ligjore. Për aq kohë sa dhe ezaurimi i plotë i rrugës së brëndeshme nuk ishte kryer kërkesa u rrezua unanimisht.
* Implikimet për sigurinë dhe privatësinë
Vendimi i GJEDNJ (ECHR) i jep rrugë hap debatit mbi mënyrën se si shtetet mund të përdorin teknologjitë e reja për të luftuar krimin e organizuar, ndërsa ruajnë të drejtat themelore të qytetarëve. Ndërsa teknologjitë e koduara si EncroChat përdoren shpesh nga rrjete kriminale për të shmangur mbikëqyrjen, Gjykata theksoi se edhe në luftën kundër krimit, të drejtat e njeriut nuk mund të anashkalohen. Ky vendim krijon një precedent të rëndësishëm për çështjet e ardhshme që lidhen me mbledhjen dhe përdorimin e provave të kriptuara nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe më gjerë.
* Pyetje dhe sfida për të ardhmen:
Konkluzione dhe rëndësia për Shqipërinë
Vendimi i fundit i GJEDNJ (ECHR) për EncroChat shënon një hap të rëndësishëm në përballjen e drejtësisë me sfidat e epokës digjitale. Ndërsa mbikëqyrja teknologjike është një mjet i fuqishëm në luftën kundër krimit, ky vendim përkujton se shtetet kanë një përgjegjësi të madhe për të mbrojtur të drejtat e individëve dhe për të siguruar që provat e mbledhura të përdoren në mënyrë të drejtë dhe ligjore.
Në Shqipëri, ku përballja me rrjetet kriminale të organizuara është një sfidë e përhershme, ky vendim i GJEDNJ është një shembull i rëndësishëm se si shtetet mund të bashkëpunojnë për të ndaluar aktivitetet kriminale që kërcënojnë rendin dhe sigurinë. Bashkëpunimi ndërkombëtar, ndarja e informacionit dhe përdorimi i provave të siguruara përmes teknologjive të reja janë mjete jetike për të luftuar krimin. Përgjegjesia për mbledhjen e tyre është e shtetit francez dhe përdorimi i tyre në Shqipëri do jetë i ligjshëm nëse nuk shkelen standartet shqiptare.
GJEDNJ konfirmoi se ndërhyrja në komunikimet private, nëse është e nevojshme për sigurinë publike dhe respekton procedurat ligjore të shteteve përkatëse, nuk konsiderohet shkelje e të drejtave të njeriut. Ky vendim ofron një kornizë të qartë për përdorimin e provave teknologjike në ndjekjen penale edhe për Shqipërinë.
[1] Çështja MN (EncroChat) të 30 prillit 2024, Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian vuri në dukje se autoriteti lëshues i një Urdhri të Hetimit Evropian (EIO) nuk është i autorizuar të shqyrtojë rregullsinë e procedurës së ndarë nga ana e Shtetit të Ekzekutimit për mbledhjen e provave, duke theksuar gjithashtu nevojën për mjete juridike të barabarta me ato në procedurat kombëtare dhe kërkesën për të përjashtuar informacionet dhe provat e marra në mënyrë të paligjshme në kontekstin e proceseve penale nëse personi nuk ka mundësi të komentojë ato.