Kasmi: E nesërmja është afër, llogaritë do hapën dhe do ketë drejtësi të vërtetë për Shqipërinë

Në tubimin e sotëm poshtë shtëpisë së liderit demokrat Sali Berisha, gazetari Bledi Kasmi mbajti një fjalim, duke përshkruar situatën aktuale të politikës shqiptare dhe drejtësisë. Ai theksoi rritjen e numrit të politikanëve dhe drejtuesve të opozitës që po përballen me një sistem të drejtësisë të korruptuar dhe të kapur politikisht.

Kasmi nënvizoi se ky është një problem që e kalon kufirin e Shqipërisë dhe se ai është i pranishëm në sytë e botës, duke cituar Fox News si një media prestigjioze amerikane që e ka evidentuar këtë situatë alarmante.

Ai bëri thirrje për të mos harruar se drejtësia e vërtetë do të vijë dhe se ata që janë përgjegjës për abuzimet dhe manipulimet do të dalin përpara ligjit.

Në një moment reflektimi, Kasmi shprehu habi mbi mënyrën se si autoritetet trajtuan ish-presidentin Ilir Meta, duke e përshkruar arrestimin e tij si një shfaqje të turpshme, ku një figurë kaq e rëndësishme e politikës shqiptare u përball me forca policore të maskuara, duke i ngjallur të gjithëve pyetje rreth natyrës së vërtetë të drejtësisë në vend.

Duke e përfunduar fjalimin e tij, Kasmi bëri të qartë se nuk është vetëm një çështje lokale, por një çështje që duhet të shqetësojë çdo qytetar dhe që kërkon vëmendjen e gjithsecilit për të garantuar një të ardhme më të ndershme dhe demokratike për Shqipërinë.

“Siç e shikoni, dita-ditës shtohen emrat e politikanëve dhe drejtuesve të opozitës, të cilët po përballen me një drejtësi të korruptuar dhe të kapur politikisht. Dhe ky nuk është një konstatim vetëm i yni, i Shqipërisë apo i opozitës në Shqipëri. Prestigjiozja Fox News, media më e madhe amerikane, të cilës sot i referohen mediat ndërkombëtare kudo në botë, e ka bërë të qartë se në Shqipëri është ngritur një drejtësi e korruptuar dhe e kapur politikisht.

Ka një mesazh që ne duhet ta transmetojmë nga ky podium dhe nga kjo rrugicë e shpresës: ne nuk harrojmë, dhe këtë duhet ta dinë ata. Këta njerëz të kësaj drejtësie duhet ta dinë se ne nuk harrojmë. Sentenca e dikurshme “bashkëfajtor dhe bashkëvuajtës” nuk do të funksionojë më vitin e ardhshëm. Fajtorët do të përgjigjen përpara drejtësisë për çdo krim, për çdo manipulim që kanë bërë, dhe kjo është e padiskutueshme. Mos kujtojnë se e nesërmja është larg. Kjo e nesërme do të vijë shumë shpejt, dhe llogaritë do të hapen.

Kam pyetur veten: përse duhej ajo shfaqje ndaj Presidentit të Partisë së Lirisë? Pse duhej të tërhiqej zvarrë një ish-president, një ish-kryeparlamentar, një ish-kryeministër, në një kohë që ishte në makinën e tij, pa shoqërues, pa makina shoqërimi, i thjeshtë dhe civil? Kemi parë që mund të arrestohen edhe liderë të tjerë kudo në botë, edhe në Evropë, dhe kemi parë që politikanë të tjerë të përballen me drejtësinë kudo në botë, por nuk kemi parë që ata të merren nga njerëz me maska. Në Amerikë, Trump shkoi përpara gjykatës i shoqëruar nga policë. Nuk kishin vënë maska, policët ishin me uniformat e tyre, të pa maskuar.

E tërhoqën zvarrë Ilir Metën, dhe Rama tha: “E ka bërë drejtësia, nuk e kam bërë unë”, u shpreh Kasmi.

About Redaksia

Check Also

Pse Rama nuk po e mbyll dot TikTok-un

Ditën e sotme, sipas urdhrit të qeverisë, TikTok duhet të kishte “ndërruar jetë” në Shqipëri. …