Teliti: Shkarkimi 12 drejtorëve nga Veliaj, skemë për të mbuluar gjurmët e vjedhjeve

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, ka komentuar zhvillimet e fundit në bashki, duke përfshirë shkarkimin e 12 drejtorëve të rëndësishëm.

Teliti e cilësoi këtë veprim si një përgatitje për hetime të mundshme nga SPAK, duke e parë si një strategji për t’i larguar drejtorët nga përgjegjësia dhe për të mbuluar gjurmët e abuzimeve.

Sipas Telitit, Partia Socialiste, përfshirë kryeministrin Rama dhe kryetarin e bashkisë, përdorin këtë manovër për të pretenduar se po luftojnë korrupsionin, ndonëse ky fenomen është bërë një sistem i organizuar.

“Sigurisht që të 12 drejtorët e shkarkuar janë të gjithë “bisht për top”, por një pjesë prej tyre po paketohet, po bëhet gati.

Lëvizja e drejtorëve të rëndësishëm, si drejtori i Policisë Bashkiake, ujësjellës-kanalizimeve, e të tjerë, është thjesht një përgatitje. Po i bëjnë gati për SPAK, për prokurori.

Ne e dimë tezën e Partisë Socialiste, të kryeministrit Rama dhe të kryetarit të bashkisë, i cili thotë: “Unë po e luftoj vetë korrupsionin.” Zotëri, ti e ke toleruar korrupsionin, ti e ke bërë korrupsionin sistem.

Ne kemi 31 javë që protestojmë para bashkisë së Tiranës me prova dhe me fakte.

Dhe çdo javë ne themi me argumente, themi që filan emër, filan drejtor, ka bërë këtë aferë korruptive, ka marrë këto para këtu. Nuk është vetëm 5D-ja, është 5D-ja, 7S-ja; tashmë po na del 12D-ja, se kështu mundohen t’i kamuflojnë, e kështu me radhë.

Ky është thjesht një përgatitje, që kur të ndodhin nga ana e prokurorisë procesverbalet për arrestimet dhe thirrjet përkatëse, ai të thotë: “Nuk janë më staf i imi këta, unë i kam larguar, madje unë jam ai që i kam shkarkuar këta.”

Rama është ai që thotë: “Jepni një dorëheqje përpara”. Veliaj bën skemën tjetër, gjoja për të treguar që edhe ai është i fortë si Rama.

Këta kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë stafi i tij elektoral; ndonëse po largohen sot, aktivitetin e tyre politik ata do ta vazhdojnë. Paratë, milionat – po flasim për miliona euro – janë ata që i kanë marrë, i kanë tjetërsuar, i kanë gllabëruar, i kanë futur në xhepat e tyre. Por ama nuk do t’i gëzojnë të gjitha, sepse ca do t’i marrë prapë fushata dhe ca të tjera do t’i marrë stresi që kanë për të kaluar në organet e prokurorisë e kështu me radhë. Pra, paketim përpara SPAK”, tha Teliti në “Kafe Shqeto” në Syri TV.

About Redaksia

Check Also

Shtohen kullat në zemër të Tiranës, një 14-katësh në pritje të lejes

Një pallat 14-katësh pritet të ngrihet në kryqëzimin e rrugëve “Vaso Pasha” dhe “Ismail Qemali” …