Berisha: Buxheti nuk u përkushtohet qytetarëve, por investimeve kapitale si në diktaturë kur ndërtoheshin bunkerë e tunele

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës së sotme me gazetarët, ka marrë në analizë buxhetin e vitit 2025 që është prezantuar nga qeveria Rama.

Sipas Berishës, ky është një buxhet që nuk u përkushtohet qytetarëve. Ai theksoi se, edhe investimet që bëhen me këtë buxhet, janë njësoj si ato që bëheshin në diktaturë, ku ndërtoheshin bunkerë e tunele, pa asnjë lloj fitimi.

“Qeveria dorëzoi këto ditë në parlament buxhetin për vitin 2025.

Ky buxhet në total prej 8.2 miliardë euro është buxheti më i madh dhe që në pamje të parë duhet të ofronte mirësinë më të madhe për qytetarët shqiptarë.

Por, në Shqipëri ka ndodhur një fenomen paradoksal.

Rritja e përvitshme e buxhetit gjer pothuajse në dyfishimin e tij është shoëqruar në mënyrë të habitshme me rritjen e përvitshme të varfërisë.

Varfërisë relative, varfërisë të skajshme apo mjerimit.

Kjo dukuri unike është tipar kardinal i buxheteve të diktaturave ideologjike dhe mobokracive kleptokratike.

Nuk mund të ndodhë kurrë kjo përveçse në regjime ku paratë përdoren siç i përdorte diktatori Hoxha për bunkerë dhe tunele, ose siç i përdor Edi Rama për punëra publike me çmime 10 herë më të lartë se në Kroaci.

Kështu që ky buxhet, para se gjithash mund të cilësohet si buxheti i triumfit të kleptokracisë, të vjedhjes, parajsës qeveritare dhe si buxhet pa mëdyshje i ndëshkimit të qytetarëve shqiptarë.

Do më lejoni t’u zbërthej këtë deklaratë.

Së pari, në qoftë se ju merrni dhe studioni buxhetin, do të gjeni se pjesa dërrmuese e tij nuk i përkushtohet qytetarit, shërbimeve, trajtimit, pagesave ndaj tij, por është investim kapital njëlloj siç ndodhte në diktaturën ideologjike ku 35 përqind e buxhetit investohej në bunkerë dhe tunele, por këtu nuk ka bunkerë dhe tunele. Këtu investohet në rrugë, punë publike që ndërtohen me çmim të 10-fishtë.

Si rregull, investimi në rrugë është investimi ndër më fitimprurësit dhe Banka Botërore në studimet e veta, ka gjetur se 1 milion i investuar në rrugë është 4 milionë fitim në të ardhura pas investimit. Me dy kushte, kushti i parë është që investimi të jetë fizibël, pra të jetë ekonomikisht i leverdisshëm. Dhe natyrisht jo kurrë si tuneli i Llogarasë që i vihet dryni në tetor dhe i hapen portat në qershor dhe që ka kushtuar 65 mijë euro për banor.

Natyrisht jo kurrë si aeroporti i Vlorës, që shpallet aeroporti më i madh i Ballkanit, që ndërtohet me një çmim të katërfishtë krahasuar me një aeroport të përmasave që do kishte nevojë Vlora dhe që gjobit qytetarët shqiptarë me biletat jo më pak se 600 mijë në vit.

Investimet në rrugë mund të shndërrohen në ndëshkim, jo vetëm kur fizibiliteti nuk ekziston, por kur ato nuk realizohen në kohën optimale. Jashtë kohës optimale të tyre, këto investime zbehen deri në shuarje.

Do ju jap një shembull sot, 12 vite vazhdoi rruga 34 km Korçë-Ersekë. U ndërtua me 800 mijë euro km, kurse 7 kilometrat e dytë kaluan, pasi erdhi Edi Rama në pushtet, nga 800 mijë euro, në 4-5 milionë euro kilometri.

Ju garantoj se rruga Korçë-Ersekë jo që nuk rikthen investimin, por nuk e shlyen atë as për dy gjenerata”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Ministrat e qeverisë me pasuri 17.2 milion euro, Rama deklaron 2.5 milionë euro

Rilindja duket se nuk ka qenë vetëm një nocion politik i përdorur nga Edi Rama …