Gjatë analizës së buxhetit 2025 të paraqitur nga qeveria Rama, lideri i opozitës Sali Berisha deklaroi se, ky buxhet parashikon zero rritje pagash dhe injoron totalisht shëndetësinë, arsimin, fermerët dhe biznesin.
“Të kthehemi pak çfarë mbetet nga buxheti më i madh në histori për qytetarët shqiptarë?
Për shërbimin shëndetësor, investohet gjithsej 2.5 përqind e Prodhimit të Brendshëm.
Për arsimin, 2.9, por mos harroni se shpenzimet totale janë rritur me 6.7 përqind.
Pra, shpenzimet në këto dy fusha rriten pothuajse 3 herë më pak se në fushat e tjera.
Fusha që kanë lidhje direkt me qytetarin, me shëndetin, me fëmijët e tyre.
Çfarë ndodh me rrogat?
Zero rritje rrogave në vitin 2025.
Çfarë ndodh me fermerët?
Trajtim qesharak i paimagjinueshëm.
Taksa ndëshkuese TVSH nuk ndryshon dhe lihen gjithsej 40 milionë për ata të cilët japin mbi 20 përqind të prodhimit bruto të vendit.
A mund të imagjinoni ju 40 milionë euro për ata që përbëjnë 40 përqind të popullatës së vendit dhe japini 20 përqind? Atyre u thuhet falimentoni, falimentoni, falimentoni.
Çfarë ndodh me bizneset? Sa u kalon nga ky buxhet bizneseve që janë gjeneratorët e tij? Jo vetëm që nuk ulen taksat, por rriten përsëri taksat dhe përveç tyre, parashikohen që nëpërmjet metodave arbitrare, të paguajnë edhe 500 milionë euro më tepër.
Pra, a nuk është ky një injorim total për bizneset në Shqipëri?”, tha Berisha.