Përfshirja e Opozitës në Diskutimet e Projektbuxhetit: Domosdoshmëri për Llogaridhënien dhe Transparencën

Bujar LESKAJ

Projektbuxheti i shtetit është një mekanizëm jetik që përcakton se si do të përdoren të ardhurat publike për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Në këtë kontekst, angazhimi i opozitës në debatet rreth projektbuxhetit nuk është vetëm një akt përfaqësimi, por një kontribut i domosdoshëm për të ofruar një perspektivë alternative dhe për të vënë në pah politikat qeveritare që kanë nevojë për përmirësim. Diskutimet mbi buxhetin duhet të shërbejnë si një platformë e hapur ku pozita dhe opozita përballen profesionalisht dhe politikisht.

Megjithatë, është shqetësuese se aktualisht po shfaqen përpjekje të qarta për ta margjinalizuar rolin e opozitës, duke e zhvendosur dialogun nga një debat gjithëpërfshirës në një monolog të njëanshëm të udhëhequr nga një qeveri që ndjek vetëm interesat e saj politike. Përjashtimet e përsëritura prej 40 dhe 60 ditësh të opozitës janë tregues i qartë i kësaj prirjeje. Për opozitën, përjashtimi nga ky proces i rëndësishëm nënkupton kufizimin e të drejtës për të ndikuar në vendimmarrje dhe për të përfaqësuar zërin e qytetarëve që kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie.

Roli i opozitës në procesin buxhetor përbën një nga parimet themelore të mirëqeverisjes, të njohura dhe të vlerësuara në çdo demokraci funksionale. Një udhëheqje që e injoron këtë rol, siç po ndodh aktualisht, synon të dobësojë institucionet dhe të minimizojë debatin demokratik. Angazhimi i opozitës në diskutimet për projektbuxhetin është një mundësi për të shpalosur para publikut programin e saj për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. Ashtu siç dhe po merr pjesë në komisionet hetimore për të siguruar llogaridhënie, ajo duhet të vazhdojë të angazhohet aktivisht edhe në këto diskutime të rëndësishme buxhetore.

Në prag të zgjedhjeve të ardhshme, ky është një moment kyç për opozitën që të prezantojë qartësisht alternativat e saj, të forcojë besimin e qytetarëve në procesin demokratik dhe të japë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e politikave fiskale dhe sociale të vendit. Ky angazhim do të shfaqet në mbrojtjen e interesave të qytetarëve, përmes ngritjes së çështjeve të rëndësishme si rritja e pensioneve, përkrahja për grupet më në nevojë, përfundimi i dëmshpërblimit të ish të përndjekurvë politikë dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm.

Këto janë çështje që kërkojnë vëmendje të veçantë dhe shërbejnë për të mbajtur qeverinë përgjegjëse për veprimet e saj. Kjo do të ndihmojë në ndërtimin e një sistemi që respekton interesat e qytetarëve dhe promovon menaxhimin e përgjegjshëm të financave publike. Për më tepër, gjatë këtyre 11 viteve në pushtet, Rama dhe sekti Rama në qeverisje ka keqpërdorur buxhetin, financat dhe pasurinë publike në mënyra që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme, ndaj të cilave opozita e ka ngritur zërin gjithmonë.

Kjo situatë ka çuar në një mungesë të theksuar transparence dhe llogaridhënie, duke përbërë një pengesë serioze për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Edhe pse mjetet e protestës dhe mosbindjes civile janë pjesë e traditës demokratike dhe do të vazhdojnë të përdoren, përfshirja në diskutimet e buxhetit i jep opozitës një mundësi unike për të shpalosur para publikut pjesë nga programi i saj. Me zgjedhjet vetëm disa muaj larg, ky angazhim është një rast i rëndësishëm për të prezantuar zgjidhjet e saj të prekshme për zhvillimin e vendit.

Në këtë mënyrë, opozita jo vetëm që ofron një vizion të ndryshëm për të ardhmen, por edhe forcon besimin e qytetarëve në demokraci dhe në funksionimin e Kuvendit si institucion përfaqësues dhe i hapur ndaj debatit të mirëfilltë. Për më tepër, angazhimi i opozitës në këto diskutime do të kontribuojë në një qasje më të gjerë për zhvillimin e qëndrueshëm. Kjo do të theksojë rëndësinë e llogaridhënies dhe transparencës si elemente kyçe për arritjen e një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë.

Me këtë angazhim, opozita do të sigurojë që zëri i saj të ketë ndikim, duke ndihmuar në krijimin e një mjedisi politik ku të gjitha palët bashkëpunojnë për të avancuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

 

About Redaksia

Check Also

Ministrat e qeverisë me pasuri 17.2 milion euro, Rama deklaron 2.5 milionë euro

Rilindja duket se nuk ka qenë vetëm një nocion politik i përdorur nga Edi Rama …