Gjykata e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar pranoi kërkesën e SPAK për kalimin në gjykim të 7 të pandehurve të dosjes “Metamorfoza”.
Biznesmeni Pëllumb Gjoka, Behar Brajovic, Edmond Preka, Astmer Bilali, Ardit Hasanbegaj, sh shefi i Operacionales Oltion Bistri dhe ish-drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita kaluan për gjykim në seancën e kësaj të premte.
Vendimi u mor nga gjyqtarja Elsa Ulliri, ndërsa çështja u kalua për gjykim pa debat nga palët.
Gjatë shqyrtimit paraprak këta tre të pandehur kanë kërkuar edhe gjykim të shkurtuar. Për këtë gjykata do të shprehet në seancën e parë të gjykimit në themel.
Ndaj Oltian Bistrit është ngritur akuza për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ndaj Pëllumb Gjokës, akuzat për “Vrasja me paramendim”, në dëm të viktimës Gjin Ndoj (Boriçi), “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Kleant Musabelliu, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”
Ndërsa ish-prokurori akuzohet për “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer 2 (dy herë), dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
SPAK njofton se janë sekuestruar 3 pasuri të paluajtshme të llojit “Pyll”, me sipërfaqe totale prej 390 000 m2 në plazhin e Velipojës dhe pasuri të paluajtshme të llojit ndërtesa, me vlerë 980 300 Euro.