Në tubimin qytetar tek “Rrugica e Shpresës”, lideri i opozitës Sali Berisha ka komentuar zgjedhjet në SHBA. “E vërteta, shënoi mrekullinë jo vetëm amerikane, por mrekullinë e botës së lirë”, tha Berisha duke dhënë lajmin se “70 për qind e narkoprokurorëve të Xhorxh Sorosit i thanë lamtumirë detyrës me datën 5 nëntor”.
“Të dashur miq, mediat qeveritare po fshehin, përpiqen të maskojnë përmasat epike, gjigante të fitores të presidentit Donald Trump dhe vlerave të konservatorizmit në vendin e madh të lirisë, në SHBA.
Institucionet, selia e partisë qendrore të krimit dhe drogës, ministrat dhe qeveritarët kishin përgatitur torta dhe shampanja, fishekzjarrë dhe party natën e të martës, të bindur se do përfitonte përfaqësuesja Kamala Harris, në fakt përfaqësuese e ekstremit të majtë.
Por, siç shkruante një mik i imi amerikan, e marta që kaloi shënoi mrekullinë amerikane.
E vërteta, shënoi mrekullinë jo vetëm amerikane, i shkruajta atij, por mrekullinë e botës së lirë.
Miqtë e mi, me këtë rast dua t’u jap një lajm tjetër, se 70 për qind të narkoprokurorëve të Xhorxh Sorosit me datën 5 nëntor, i thanë lamtumirë detyrës.
30 prej tyre u shkarkuan me votë ekzemplare nga qytetarët amerikanë, të tjerët janë shkarkuar për flagranca bashkëpunimi me krimin dhe SHBA shpëtuan nga dhjetëra Dumanër, Kraja, kriminelë, zuzarë të Xhorxh Sorosit që sponsorizonte kriminalitetin dhe krimin, drogën, grabitjet, plaçkitjet me akte të hapura armiqësore, publike ndaj popullit amerikan, rendit, rregullit dhe qetësisë së atij vendi.
Të gjitha këto tregojnë se e vërteta mund të vonojë, por ajo triumfon dhe vetëm triumfon.