Një zëdhënës i fushatës elektorale të Trump ka bërë të qartë se cilat do të jenë prioritet e Trump në Ballkanin Perëndimor. Ai ka vendsur si një prioritet vlerat demokratike në këto vende, luftën ndaj korrupsionit dhe mos ndërhyrjen e palëve të treta.
Christos Marafatsos, nga fushata e ish Presidentit Donald Trump, i tha Zërit të Amerikës se politika e jashtme e Presidentit Trump ndaj Ballkanit Perëndimor “do të theksonte partneritetet pragmatike, të orientuara nga veprimet e përqendruara në qëndrueshmërinë, mundësitë ekonomike dhe luftimin e korrupsionit”.
Sipas zotit Marafatsos një Shtëpi e Bardhë e udhëhequr nga zoti Trump nuk do të nxiste thjesht deklarata të gjera mbi demokracinë, por do të nxirrte rezultate reale dhe të përgjegjshme duke punuar drejtpërdrejt me udhëheqësit lokalë dhe qytetarët në rajon.
“Presidenti Trump e kupton se paqja e vërtetë vjen nga kombe të forta dhe të vetë-qëndrueshme. Administrata e tij do të përqendrohej në forcimin e ekonomisë dhe sigurisë së vendeve të Ballkanit, duke u mundësuar atyre t’i rezistojnë si korrupsionit ashtu edhe trysnisë së jashtme. Kjo nënkupton mbështetjen e marrëveshjeve strategjike të tregtisë ekonomike dhe masave kundër korrupsionit, jo vetëm me fjalë, por përmes partneriteteve vepruese, ndarjes së burimeve dhe trajnimeve që forcojnë institucionet vendore. Për më tepër, administrata e tij do t’i jepte përparësi lirive individuale dhe do të shkurtonte burokracinë që pengon përparimin në këto vende, duke ndihmuar në avancimin e vlerave të vërteta demokratike duke fuqizuar qytetarët dhe institucionet lokale”, tha ai.
Fushata e zotit Trump kritikoi politikën e Jashtme të administratës së Presidentit Joe Biden për mosveprim dhe mungesë angazhimi për të kuptuar vërtetë sfidat e veçanta të rajonit. Sipas saj, mungesa e angazhimit jo vetëm që ka penguar përparimin ekonomik, por gjithashtu ka bërë që shumë vende të Ballkanit të ndjehen të anashkaluar dhe të pavlerësuar ndërsa tensionet ziejnë.
“Një administratë e zotit Trump do të sillte një qasje të re dhe të vendosur. Presidenti Trump do t’i jepte përparësi angazhimit të drejtpërdrejtë, duke punuar ngushtë me udhëheqësit lokalë dhe palët e interesuara për të trajtuar çështjet urgjente në secilin prej këtyre kombeve. Administrata e tij do të ndërmerrte hapa aktivë për të parandaluar që ndikimet e huaja të destabilizojnë rajonin, duke siguruar që Ballkani të përparojë në një rrugë të qëndrueshme dhe të begatë”, thuhet në përgjigjen e fushatës së zotit Trump në të cilën theksohet se “stili dhe angazhimi vendimtar i tij për të ndërtuar aleanca të forta të mbështetura në përfitimet dhe respektin e ndërsjellë, do të qëndronin në kontrast të plotë me politikat pasive të administratës aktuale, duke u dhënë shpresë atyre që besojnë në një të ardhme më të ndritshme për Ballkanin”.
Gazeta RD