22% e të rinjve të papunë! Të angazhohemi për të sjellë ndryshimin!

Anëtarja e FRPD, Erilda Mehmeti ka mbajtur fjalën e saj në tubimin qytetar te ‘Rruga e Shpresës’, në mbështetje të kreut të PD, Sali Berisha.

Mehmeti theksoi se realiteti i dhimbshëm me të cilin përballen të rinjtë është papunësia, pasi 22% e grupmoshës 15-29 vjeç janë të papunë.

Mehmeti u shpreh se, si të rinj të Partisë Demokratike, ne kemi një detyrë të rëndësishme të ngremë zërin për një të ardhme ndryshe, për një sistem që ofron mundësi të barabarta dhe meritokraci për të gjithë. Ne duhet të angazhohemi për të sjellë ndryshim, duke krijuar mundësi që të rinjtë të kenë arsye të qëndrojnë në Shqipëri dhe të ndërtojnë këtu të ardhmen e tyre.

Mehmeti: Mirëmbrema të nderuar Demokrate, mirëmbrema Prof. Dr. Sali Berisha,

Jam sot përpara jush si një e re për të folur për një realitet që prek secilin prej nesh dhe që, fatkeqësisht, bëhet gjithnjë e më i dhimbshëm – papunësia dhe mungesa e perspektivës për të rinjtë shqiptarë. Kemi të rinj që ikin, të rinj që mbeten dhe vuajnë mungesën e mundësive, mungesa e nje një arsimi cilësor, i pamjaftueshëm dhe një treg pune që shpesh nuk arrin të përmbushë ambiciet dhe formimin e tyre.

Sipas të dhënave të fundit, Shqipëria kryeson listën për nivelin më të lartë të papunësisë ndër të rinjtë në rajon, me 22% të grupmoshës 15-29 vjeç të papunë. Në krahasim me fqinjët tanë, ku papunësia në të rinjtë mbetet në mesataren 13-14%, situata jonë tregon për një krizë që nuk po përmirësohet. Në vend që të përballemi me sfidën e ndërtimit të një të ardhmeje, ne përballemi me një sërë vështirësish që pengojnë të rinjtë të ndërtojnë jetën në vendin e tyre, të ndërtojmë jetën në vendin tonë.

Papunësia, ikja dhe mungesa e meritokracisë janë ndër arsyet kryesore që shtyjnë rininë të largohet nga Shqipëria. Studime të fundit tregojnë se jo vetëm të rinjtë, por edhe familjet e arsimuara dhe profesionistët, të zhgënjyer me sistemin e punës dhe cilësia e jetës, po mendojnë të largohen nga vendi. Mbi 40% e njerëzve kanë plane konkrete për emigracion në dy vitet e ardhshme. Kjo përbën një hemorragji të pafalshme për një vend si Shqipëria, që humbet çdo ditë potencialin e saj njerëzor dhe të ardhmen e saj.

Çështja e arsimit është gjithashtu një plagë tjetër. Shumë të rinj përfundojnë studimet e larta me shumë sakrificë dhe pasion, por nuk gjejnë mundësi të denja punësimi në Shqipëri. Tregu i punës nuk reflekton kërkesat e tyre për kushte të denja pune, duke i kthyer punësimet shpesh në pozita nën nivelin e kualifikimit që ata kanë arritur me përkushtim. Ka një nevojë të urgjente për të reformuar sistemin arsimor, për të përgatitur breza të aftë për vendin e punës e për të ardhmen e tyre, si dhe për të ndërtuar një sistem ku meritokracia dhe transparenca të jenë shtylla themelore e shoqërisë.

Si të rinj të Partisë Demokratike, ne kemi një detyrë të rëndësishme të ngremë zërin për një të ardhme ndryshe, për një sistem që ofron mundësi të barabarta dhe meritokraci për të gjithë. Ne duhet të angazhohemi për të sjellë ndryshim, duke krijuar mundësi që të rinjtë të kenë arsye të qëndrojnë në Shqipëri dhe të ndërtojnë këtu të ardhmen e tyre.

E ardhmja e Shqipërisë varet nga investimi që bëjmë tek rinia, sepse pa të rinj, një vend është i destinuar të mbetet në vendnumëro dhe pa të ardhme. Kështu që, le të jemi brezi që sjell ndryshimin që Shqipëria ka nevojë, brezi që lufton për një sistem arsimor dhe ekonomik që i respekton dhe i vlerëson talentet dhe ëndrrat e të gjithëve.

Shqipëria nuk e meriton këtë që po ndodh, dhe duhet të jemi në që me punë dhe me vendimet e duhura të ndryshojmë rrjedhën e historisë në anën tonë, në anën e një Shqipërie me shqiptar dhe me të rinj që punojnë për vendin e tyre.

Ju faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Berisha: Nga zëri juaj guximtar u denoncuan vjedhjet e kryeminstrit, familjarëve të tij dhe narkoministrave

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, nga zëri juaj guximtar në “Rrugën e Shpresës” …