“Karamelet” elektorale dhe lojërat e qeverisë me pronat

“Karamelet” elektorale janë të zakonshme përpara zgjedhjeve. Ato ofrohen si shpërblim nga qeveria e radhës për të joshur votuesit dhe për të ruajtur pushtetin edhe me një tjetër mandat. Zakonisht janë në formën e projekteve në infrastrukturë, në amnisti taksash apo rivlerësime pronash.

E këtë të fundit qeveria e tentoi sërish, por konjukturat financiare dhe ekonomike e detyruan të tërhiqej, për ta shtyrë në kohë rivlerësimin e duke lënë kështu peng tregun e pasurive të patundshme, së bashku me qytetarët që ishin në pritje të kësaj lehtësie për të shitur apo rivlerësuar pasuritë e tyre të patundshme.

Por, çfarë ka ndodhur?

Më 15 maj të këtij viti, deputetja socialiste Blerina Gjylameti dorëzoi në Kuvend një projektligj që mundësonte rivlerësimin e të gjitha pronave, përfshi ato në proces legalizimi me një tatim 3% nga 15% që është aktualisht. Një nismë që u mirëprit nga qytetarët, por edhe nga tregu i pasurive të patundshme, që prej një viti ishte nën ndikimin e rritjes së çmimit të referencave, që fillimisht u bë për kryeqytetin dhe që pritej të shtrihej në të gjithë Shqipërinë nëpërmjet asaj që quhet harta e referencave.

Nisma e deputetes socialiste do të qëndronte e arkivuar në Kuvend për gati dy muaj, e papërfshirë në agendën e diskutimeve të komisioneve parlamentare. Kjo situatë zgjati deri më 17 korrik, kur kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me kryetarët e bashkive do të njoftonte se rivlerësimi do të bëhej, por me disa kushte.

Tatimi do të jetë 5% më i lartë se nisma fillestare, do të jetë i vlefshëm vetëm për një vit dhe kjo është nisma e fundit e këtij lloji që ndërmerret nga qeveria. Mund të rivlerësoheshin të gjitha pronat, përfshi ato në proces legalizimi dhe ajo që synohej ishte formalizimi i tregut të pasurive të patundshme. Deklarata e kryeministrit riktheu shpresat tek qytetarët dhe tregu, që prisnin konkrertizimin e kësaj lehtësie.

Tre muaj të tjerë pritje kaluan, teksa më 5 nëntor, ministri i Financave, Petrit Malaj do të njoftonte tërheqjen e përkohshme të qeverisë nga rivlerësimi i pronave dhe shtyrjen në kohë të kësaj nisme.

Por, a janë referencat arsyeja e vërtetë që qeveria nuk e ndërmerr tani rivlerësimin e pronave?

Nëse një nismë e tillë do të hynte në fuqi, ajo do të shoqërohej me rritje të numrit të pronave të rivlerësuara dhe rrjedhimisht, edhe me më shumë para në buxhetin e shtetit. Aktualisht, qeveria ka në buxhet një suficit të ardhurash prej 690 milionë euro, të cilat duhet të shpenzohen deri në fund të dhjetorit që përfundon edhe viti buxhetor. Ajo që nuk i duhet tani qeverisë janë të ardhura të tjera, çka do ta shtonte shkallën e vështirësisë për shpenzimin e tyre.

Le të sjellin si shembull rivlerësimin e fundit që bëri qeveria, rreth dy vite më parë. Në atë kohë, me tatimin 3%, u rivlerësuan mbi 162 mijë prona dhe qeveria përfitoi 12,7 miliardë lekë ose rreth 127 milionë euro të ardhura nga i gjithë procesi.

Nisma u konsiderua e suksesshme për kohën dhe nëse do të zbatohej sërish në këtë moment, bazuar edhe në pritshmëritë e tregut, numri i pronave që do të rivlerësoheshin do të ishte i madh dhe rrjedhimisht, të konsiderueshme edhe të ardhurat që do të gjeneroheshin.

Amnistitë e rivlerësimit të pronave janë ndërmarrë edhe në të kaluarën disa herë dhe gjithmonë në periudhat përpara zgjedhjeve. Në 13 vitet e fundit janë bërë 4 rivlerësime pronash dhe të gjitha kanë ndodhur përpara zgjedhjeve vendore ose të përgjithshme parlamentare, me tarifa që kanë variuar nga 1% në vitin 2011 në 3% në rivlerësimin e fundit dhe në 5% në atë që u propozua të zbatohej nga shtatori dhe që është shtyrë tashmë për vitin e ardhshëm, sipas vendimit të fundit të qeverisë.

Agjentët imoboliarë shpjegojnë se tregu i pasurive të patundshme ka nevojë për një taksë fikse dhe ndjeshëm më të ulët se ajo aktuale prej 15% për rivlerësimin e pronave, e ngjashme me atë që zbatohet edhe në vendet e tjera europiane. Sipas tyre, kjo do të nxisë qytetarët të rivlerësojnë pronat në varësi të ecurisë së tregut dhe do të formalizojë këtë të fundit, duke gjeneruar të ardhura të sigurta dhe të vazhdueshme për qeverinë.

Por, me shtyrjen e procesit të rivlerësimit, çfarë pritet të ndodhë tani me tregun e pasurive të patundshme dhe me qytetarët që ishin në pritje për të rivlerësuar pronat e tyre me tatim të ulët?

Shtyrja e procesit të rivlerësimit do të shërbejë si një faktor më shumë që do të shtojë presionin mbi tregun e pasurive të patundshme dhe çmimet. Kjo pasi do të shtrenjtohen apartamentet ekzistuese, që kanë nevojë për rivlerësim dhe që blihen kryesisht nga shtresa e mesme. Ndërkohë që apartamentet në pallatet e reja nuk kanë nevojë të rivlerësohen. Por, çmimet e tyre janë të papërballueshme për këtë kategori dhe për pjesën dërrmuese të shqiptarëve.

Blerja e një apartamenti po bëhet gjithmonë e më e vështirë. Për shkak të të ardhurave të pakta të shumicës së qytetarëve, por edhe ecurisë së një tregu, që në pjesën dërrmuese të rasteve nuk iu nënshtohet ligjësive ekonomike, por dinamikave me shumë ndryshore. E sikur kjo të mos mjaftonte, presionet shtohen në mënyrë artificiale nga premtimet elektorale të qeverisë së rradhës.

/A2 CNN

About Redaksia

Check Also

Kalaja: Veliaj i përfshirë në afera të rënda kriminale në Bashki, duhet të ishte pas hekurave

Aktivistja Adriana Kalaja thotë se është e habitur nga padia që kryebashkiaku i Tiranës, Enrion …