Spahia: PS dhe Edi Rama nisin operacionin kriminal për manipulimin e votës së emigrantëve!

DEKLARATË PËR MEDIA E ANËTARIT TË KRYESISË NË PD, BARDH SPAHIA

Partia Socialiste dhe kryetari i saj Edi Rama kanë nisur një operacion kriminal për të vendosur nën kontroll votën e emigrantëve në mënyrë të paligjshme.

Institucionet shtetërore kanë shpërndarë tek punonjësit formularë për t’i plotësuar me të paktën 10 kontakte të familjarëve apo miqve në emigracion. Kush bën rezistencë dhe nuk bën punën e partisë, merr kërcënime për t’u larguar nga vendi i punës. Kjo është skema e shndërrimit të shtetit, të institucioneve publike në shërbëtorë të Partisë Socialiste.

Kjo skemë është shtrirë edhe në Shkodër përmes pengut të krimit dhe abuzuesit te tenderave publike, Benet Beci, si drejtues politik i Partisë Socialiste dhe si kryetar i Bashkisë Shkodër.

Ky është modeli i formularit të shpërndarë tek punonjësit e Ujësjellës Kanalizime Shkodër. Është si një regjistër i gjendjes civile, por përmban edhe numrin e celularit të emigrantit, vendin ku jeton dhe Kodin Postar. Siç është bërë e njohur nga një denoncim tjetër i Partisë Demokratike, këto të dhëna të mbledhura nga partia në pushtet, i kalohen ambasadave dhe konsullatave shqiptare për të kontaktuar njerëzit, për t’u zgjidhur problemet në këmbim të votës.

Ky formular përbën një provë krimi! Dhe provat e krimit zgjedhor e kanë vendin në SPAK! I bëj thirrje Prokurorisë së Posaçme ta hetojë këtë rast, si një shërbim madhor për demokracinë!

Provat janë aty! SPAK-ut i duhet të sekuestrojë kamerat e sigurisë së Ujësjellësit Shkodër dhe të provojë me zë dhe me figurë se në mbledhjen e pak ditëve më parë punonjësve u është kërkuar të punojnë për Partinë Socialiste për të listuar emrat dhe kontaktet e emigrantëve. Në këtë mbledhje kanë qenë të pranishëm drejtuesit e ndërmarrjes në gjithë sektorët e saj të qarkut Shkodër.

Në këtë mbledhje, përgjegjësve të sektorëve u është kërkuar me detyrim të kontaktojnë punonjësit dhe, në këmbim të vendit të punës, t’u kërkohet, në emër të drejtorit të Ujësjellësit, që të plotësojnë listat emërore me kontaktet në diasporë.

Dhe një ndihmë tjetër për SPAK-un. Ditën e enjte, Drejtori i Degës së Kujdesit ndaj klientit në Ujësjellësin e Shkodrës, Indrit Salja, ka mbledhur punonjësit e kësaj drejtorie dhe u ka shpërndarë formularin. SPAK mund ta verifikojë këtë fakt përmes kamerave të institucionit.

Drejtori i Ujësjellësit Besmir Lesha, njëkohësisht, sekretar i Partisë Socialiste Shkodër, ka pohuar se kjo është direktivë e drejtuesit politik te qarkut Shkodër, Benet Beci.

Zoti Beci mban përgjegjësi të drejtëpërdrejtë për këtë operacion të paligjshëm, të cilin ne do ta padisim në Prokurorinë e Posaçme. Nëse Benet Beci nuk është arrestuar deri atëherë për vjedhjet dhe pronat në Tiranë dhe Hamallaj, do të shkojë të japë llogari për krimin e ri zgjedhor që po i bën Shkodrës.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Nga zëri juaj guximtar u denoncuan vjedhjet e kryeminstrit, familjarëve të tij dhe narkoministrave

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, nga zëri juaj guximtar në “Rrugën e Shpresës” …