Kontrabandë dhe trafikim, ndalohet shefi i Krimeve, nënkomisari dhe një doganier

Dy punonjës policie, një doganier dhe dy shtetas të tjerë, të dyshuar për veprime të paligjshme, përfshirë shpërdorim detyre, kontrabandë dhe falsifikim dokumentesh, janë ndaluar në një operacion të gjerë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP). Operacioni, i cili u mbështet nga hetimet disa mujore, ka çuar gjithashtu në shpalljen në kërkim të një tjetër punonjësi policie, pjesë e forcës Shqiponja.

I ndaluar është Kryekomisar Alfred Kondi, Shef i Sektorit të Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Vlorës dhe Gjirokastrës, që dyshohet të ketë kryer dy vepra penale, si dhe Nënkomisar Xhevit Dine, gjithashtu i dyshuar për “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim.

Ndërsa në kërkim është Inspektor Feim Onjea, pjesë e forcës speciale Shqiponja.

Njoftimi

Në përputhje me urdhërat e ndalimit të lëshuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Gjirokastrës, janë ndaluar:

-Kryekomisar Alfred Kondi, Shef i Sektorit të Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë të Vlorës dhe Gjirokastrës, i cili dyshohet për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Shpërdorim i autoritetit policor”, kryer në bashkëpunim.

-Nënkomisar Xhevit Dine, Specialist në Seksionin e Inteligjencës dhe Arkivës Kriminale, gjithashtu i dyshuar për “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim.

-Inspektor Feim Onjea, pjesë e forcës speciale Shqiponja, i dyshuar për “Shpërdorim të detyrës” dhe “Shpërdorim të autoritetit policor” në bashkëpunim. Ai aktualisht është shpallur në kërkim.

Po ashtu, janë ndaluar edhe dy shtetas për veprat penale të “Kontrabandës” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”.

-Bledar Mustafaraj, doganier në degën doganore të Kakavijës, i dyshuar për “Falsifikim dokumentesh” dhe “Kontrabandë nga punonjës të lidhur me veprimtarinë doganore”.

-Ili Muho dhe Kleodor Kazo, të dyshuar për “Kontrabandë me mallra të tjera” dhe “Falsifikim vulash, stampash dhe formularësh” kryer në bashkëpunim.

Hetimet zbuluan se të dyshuarit ishin të përfshirë në një seri aktivitetesh kriminale. Ata dyshohet se kanë organizuar trafikimin e emigrantëve të paligjshëm dhe kanë favorizuar kontrabandën e mallrave të ndryshme përfitime të paligjshme. Po ashtu, janë të dyshuar për organizimin e lojërave të fatit, në formën e basteve sportive, gjithashtu me qëllim përfitime monetare të jashtëligjshme.

Në përpjekje për të fshehur aktivitetet e paligjshme, punonjësit e policisë dhe doganës, duke shfrytëzuar pozitat dhe detyrat e tyre, kanë ndikuar për të mundësuar dhe lejuar ushtrimin e këtyre aktiviteteve ilegale nga shtetas të ndryshëm.

Si provë materiale, agjentët e AMP-së sekuestruan një automjet tip ML dhe katër aparate celular, të cilat do të përdoren për të hedhur dritë mbi përfshirjen e të dyshuarve në këtë aktivitet.

About Redaksia

Check Also

Ndahet nga jeta Baba Hekuran Nikollari i Teqesë së Baba Aliut në Alipostivan

Baba Hekuran Nikollari i Teqesë së Baba Aliut në Alipostivan, është ndarë nga jeta parakohe …