Sekretari për çështjet ligjore në PD, Ivi Kaso deklaroi se, ishte kundër ndryshimeve në “Kodin Zgjedhor” në momentet e fundit para zgjedhjeve, por nëse kjo do ishte e domosdoshme PD do e bënte dhe këtë hap për të mos penguar dhe çuar përpara procesin për votën e emigrantëve.
“Ne e kemi thënë nëpërmjet kryetarit të partisë që nëse zgjidhja ligjore, e amendimit ligjor, do të ishte zgjidhja e fundit dhe e përshtatshme që garantonte procesin, sigurisht që nuk do ta lëmë këtë proces të dështojë për aspekte teknike. PD është ajo që e ka kërkuar që ky proces të ndodhte që në vitin 2012 dhe tani duket sikur jemi në rrugën e realizimit për zgjedhjet e ardhshme dhe sigurisht ne që e kemi sjellë këtu këtë proces, nuk do ta lëmë të dështojë për teknikalitete apo çështje afatesh.
“Megjithatë nuk është standart ndërhyrja në “Kodin Zgjedhor” në momentet e fundit para zgjedhjeve prandaj duhet të mësohemi të heqim dorë nga këto praktika dhe i takon KQZ-së të marri përgjegjësinë ligjore dhe ta zgjidhë problemin me postat ndërsa ne si parti politike do të jemi në suport, nëse vërtet ka një alarm real”, tha Kaso.