Refuzohet ftesa e presidentit, Bardhi: Data e zgjedhjeve është paracaktuar nga Rama-Balla

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka refuzuar ftesën e presidentit Bajram Begaj për konsultime në lidhje me datën e zgjedhjeve.

Në një reagim të tij, Bardhi shkruan se refuzon të përfshihët në një proces farsë.

Reagim i kryetarit të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi

Të hënën, ora 10:30, Sekretari i Përgjithshëm i PD dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, janë ftuar zyrtarisht nga Institucioni i Presidentit të Republikës për t’u bërë pjesë e një procesi “konsultimesh” lidhur me datën e zgjedhjeve.

Personalisht refuzoj të përfshihem në një proces farsë dhe që synon vetëm t’i jap legjitimitet një akti të diktuar në mënyrë antikushtetuese nga partia në pushtet.

Caktimi i datës së zgjedhjeve është kompetencë kushtetuese e Presidentit të Republikës dhe kurrësesi një akt që diktohet nga Edi Rama dhe Taulant Balla. Tashmë dyshja Rama-Balla e kanë caktuar datën e zgjedhjeve dhe Presidenti pritet vetëm të nënshkruajë e të vulosë vullnetin e partisë në pushtet. Farsa e gjoja konsultimeve me parti politike dhe madje edhe me individë pa parti, është një akt i shëmtuar që meriton vetëm të përbuzet.

Presidenti i Republikës ka patur të gjitha shanset që të vepronte si figurë unifikuese dhe të luante rolin kushtetues të Kreut të Shtetit. Ka qenë zgjedhja e Presidentit të Republikës që të bëhet palë politike dhe të mos mbajë asnjë qëndrim për gjendjen ku ndodhet sot Shqipëria.

Madje me heshtjen e tij shurdhuese, Presidenti i Republikës po nxit Trupin Diplomatik të Republikës së Shqipërisë në mbarë botën që të përfshihen në organizimin dhe pjesëmarrjen në turin e takimeve politike/elektorale të Partisë Socialiste, ku Edi Rama kërkon votë për partinë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme.

Edhe pse është vënë zyrtarisht në dijeni, Presidenti i Republikës ende nuk ka marrë leje nga Edi Rama për të reaguar dhe për t’u distancuar publikisht nga ky veprim i paligjshëm i Trupit Diplomatik të dekretuar prej tij.  Një President që sillet si palë politike meriton vetëm injorim dhe çdo takim me të është vetëm humbje kohe!

About Redaksia

Check Also

Berisha fton qytetarët në protestë: Çmimi i naftës është absolutisht një shkak madhor për revoltë

Kryetari i PD, Sali Berisha, ka bërë thirrje për protesta qytetare, duke e cilësuar çmimin …