Deputetja e PD, Albana Vokshi ka mbajtur fjalim para PPE, pas votimit nga Asambleja për Rezolutën e dytë të miratuar brenda një jave.
Teksa ka parashruar shqeteësimet dhe goditjet ndaj opozitës në vend, Vokshi ëhstë ndalur në veçanti te parashtrimi i fakteve për mbajtjen nën izlolim politik të liderit të opozitës, Sali Berisha.
Sipas Vokshit, një vit e gjysmë nga zgjedhjet e ardhshme, të gjithë liderët e opozitës, en-block, përballen me ndjekje politike, arrest, burgosje, si dhe me kërcënime të drejtpërdrejta për jetën. Shqipëria është ndër vendet e pakta në botë me të burgosur politikë, thekson Vokshi.
Për ligjvënësen demokrate, faktet e parashtruara, nuk janë të izoluara – ato janë dëshmi e një qeverie që shtyp sistematikisht opozitën, hesht kritikët dhe abuzon me pushtetin, ndërsa shton se nën pushtetin e Ramës shkon në burg e të hiqet mandati.
Fjala e Plotë
I nderuari President Weber,
I nderuar Sekretar i Përgjithshëm Bacolas
Të nderuar anëtarë të presidencës së PPE
Të dashur miq, kolegë të politikës
Faleminderit që na dhatë mundësinë të dyve për të paraqitur rezolutën, e cila është shumë e rëndësishme, në një moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe Partinë Demokratike.
Do të paraqes disa fakte të thjeshta, pa koment.
- 5 muaj para zgjedhjeve të ardhshme, të gjithë liderët e opozitës, en-block, përballen me ndjekje politike, arrest, burgosje, si dhe me kërcënime të drejtpërdrejta për jetën e tyre. Shqipëria është ndër vendet e pakta në botë me të burgosur politikë.
Sali Berisha: Kryetar i PD-së dhe lideri i opozitës, është në arrest politik në shtëpie. Pa akuzë zyrtare për më shumë se 9 muaj. Asnjë fakt, asnjë provë, as edhe një herë në pyetje nga prokuroria.
Ilir Meta:Kryetar i Partisë së Lirisë, ish-President, ish kryeministër, ish kryeparlamentar, u ndalua dhunshëm, u nxorr zvarrë nga makina e tij dhe tashmë ndodhet në paraburgim ndërsa është nën hetim.
Fatmir Mediu: Kryetari i Partisë Republikane, përballet me akuzën për një çështje të mbyllur vite më parë, në shkelje të parashkrimit.
Siç e shihni, të gjithë drejtuesit e partive opozitare, që përfaqësojnë gjysmën e votuesve në Shqipëri, ose janë në arrest, ose në burg, ose përballen me akuza. Këto akuza bazohen në ngjarje të mbi 15 viteve më parë. Berisha madje akuzohet për një ligj të miratuar në kohën e qeverisjes së tij, që riktheu pronat e sekuestruara nga komunistët. Qindra mijëra familje përfituan nga ky ligj, dhe Berisha në mënyrë ironike kritikohet sepse dhëndri i tij përfitoi ligjërisht një tokë të vogël prej 400 metrash katrorë, që i përkiste familjes së tij.
Ervin Salianji: nënkryetari i grupit parlamentar të PD-së, është dënuar me 1 vit e gjysmë burg për denoncimin publik te vëllait të ish Ministrit të Brendshëm si trafikant droge që jetonte i lirë në Shqipëri. Denoncimi i Salianjit e detyroi vëllain të dorëzohej në Itali për të vuajtur dënimin, por Salianji u ndëshkua vetëm pse tha të vërtetën.
Fredi Bejleri: kryetar i zgjedhur i Himarës. Cështjen e tij e njihni shumë mirë pasi EPP ka miratuar dy rezoluta për cështjen e tij. Bejleri u dënua me dy vjet në një proces të sajuar. Bejleri tashmë është Eurodepute. E kjo vë në dukje absurditetin: nëse fiton në Europë, je i lirë; nëse fiton në Shqipëri, nën pushtetin e kryeministrit Rama shkon në burg e të hiqet mandati.
Këto raste, nuk janë të izoluara – ato janë dëshmi e një qeverie që shtyp sistematikisht opozitën, hesht kritikët dhe abuzon me pushtetin. Liria politike, pavarësia e medias dhe drejtësia janë në rrezik në Shqipëri.
Vota juaj për këtë rezolutë ka një rëndësi të madhe. Shqiptarët i besojnë BE-së më shumë se çdo institucion tjetër—3 në 4 shqiptarë, besojnë në vlerat evropiane, krahasuar me më pak se 1 në 4 shqiptarë që i besojnë qeverisë së tyre.
Kjo rezolutë përfaqëson një qëndrim kundër rrëshqitjes së Shqipërisë drejt autokracisë, ku një njeri i vetëm, kryeministri Rama, kontrollon pothuajse të gjitha pushtetet.
Votimi për këtë rezolutë do të jepte një sinjal të fuqishëm: PPE qëndron në krah të shqiptarëve, në kreh të demokracisë dhe kundër represionit autokratik.
Shqiptarët duhet të shohin shpresën, të dinë se Evropa qëndron e vendosur mbi drejtësinë, dinjitetin dhe lirinë.
Ju bëj thirrje të gjithëve që të mbani këtë qëndrim.
Kjo nuk është votë për një parti politike!
Kjo nuk është votë për Partinë Demokratike!
Kjo është një votë për kthimin e demokracisë në Shqipëri përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme!
Kjo është votë për qytetarët shqiptarë.