Meta: Arrestimet si ndaj zotit Berisha dhe ndaj meje janë urdhëruar nga tribuna e Kongresit të PS

Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka dhënë një intervistë për mediat gjatë ditës së djeshme. Ai ka komentuar edhe arrestimin e tij duke thënë se, “si President i Republikës i jam kundërvënë shndërrimit të Reformës në Drejtësi me 140 vota në një Ramaformë me 69 vota, siç ishte zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm apo betimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese te noteri te Lana”.

“Të tre çështjet që ngre SPAK-u janë njëra më absurde dhe më e manipuluar se tjetra dhe pjesë e një fletërrufeje të përbashkët, që ka tronditur edhe Baton Haxhiun, kur kishte lexuar deformimet e deklarimeve të tij të dhëna gjatë këtij procesi maskaradë”, tha Meta.

Intervistë e Presidentit Meta për emisionin “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku

  1. Zoti Meta, ka kaluar një muaj nga arrestimi juaj. Si kanë qenë këto ditë që nga 21 tetori e derimë sot? Si e keni përballuar të gjithë këtë situate tuajën?

Nuk ishte një situatë e papritur për mua, i cili jam i pari, që si President i Republikës i jam kundërvënë shndërrimit të Reformës në Drejtësi me 140 vota në një Ramaformë me 69 vota, siç ishte zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm apo betimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese te noteri te Lana.

Nuk besoj se e keni harruar edhe mitingun madhështor të 2 Marsit 2020 në mbrojtje të Gjykatës Kushtetuese.

Pavarësisht rezistencës time, kapja e plotë e sistemit të drejtësisë edhe pse u vonua pak në kohë u realizua plotësisht.

Për këtë ndihmoi korruptimi i drejtuesve të opozitës, të cilët dogjën mandatet në shkurt 2019 duke i bërë Ramës dhuratën më të madhe për të kapur gjithë institucionet e pavarura në vend dhe 100% drejtësinë e re.

Po kështu, edhe falja e të gjitha bashkive e me rradhë.

Kjo situatë është pasojë e asaj që e kam quajtur me konsistencë grusht shteti i shtrirë në kohë dhe i realizuar me shkelje Kushtetute, ligjesh, procedurash dhe duke përdorur një skuadër të përzgjedhur prokurorësh dhe gjyqtarësh të nënshtruar totalisht dhe pa asnjë integritet dhe përgjegjshmëri.

Në fund të fundit, arrestime të urdhëruara nga tribuna e Kongresit të PS kanë ndodhur si ndaj Z. Berisha edhe ndaj meje.

Nga juntat pritet çdo gjë, por është e sigurtë se ato nuk kanë të ardhme.

  1. Në të gjitha intervistat që unë u kam marrë disa juristëve e cilësojnë mënyrën e arrestimit tuaj të gabuar. Veçohet ai i ish-ministrit të Drejtësisë, Shefqet Muçi që e quajti “arrestim të frikshëm dhe të turpshëm”. Përfaqësues të policisë janë shprehur se ju keni përdorur fjalë fyese dhe të shara në atë moment. A mund të na perifrazoni fjalë për fjalë dialogun që keni patur me policët që ju ndaluan makinën dhe ju prangosën në atë mënyrë?

Si mund të harxhoj kohë unë të perifrazoj “dialogun” me banditë, që i ka parë e gjithë Shqipëria dhe që kishin fytyrën e Edi Ramës, Dumanit dhe Charles McGonigal.

Ata mund të thonë edhe që hyra unë me armatim të rëndë në makinat e tyre dhe gjithë televizionet që sot janë të shtetëzuara ta japin lajm të parë.

E vërteta është ajo që të gjithë kanë parë.

Banditë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, që inskenojnë për 10 minuta një situate terrori për qindra udhëtarë, gjoja duke ndaluar makinat e tjera për të mbërritur te makina ime, për ta hapur me dhunë dhe për të hyrë brenda me automatic dhe armatim të rëndë.

Ata nuk jepnin asnjë shpjegim dhe nuk pranuan të jepnin asnjë dokument ose shkresë zyrtare, vetëm ulërisnin si idiotë.

Unë thjesht u kërkova shkresën e Sorosit të firmosur nga Dumani i Partisë.

Ata nuk më lejuan të telefonoja avokatin dhe vetëm pas 2 orësh në Policinë e Tiranës u njoha me aktet e paligjshme të arrestimit.

  1. Zoti Meta, ju akuzoheni nga prokurorët e SPAK për tre çështje: për dosjen e njohur si CEZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influences së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni, si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me një biznesmen, në emër të të cilit është marrë përsipër ndryshimi i një ligji në Kuvendin e Shqipërisë; për kontratat e konsulencës dhe lobimit në SHBA të Amerikës; dhe pastrimin e produkteve në blerjen e një shtëpie në Tiranë, si dhe mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013-2019. Lidhur me çështjen CEZ-DIA, në mbrojtjen tuaj ju i hidhni poshtë me kundërfakte tuaja akuzat e SPAK. Gjatë kohës që keni ushtruar funksionet e larta shtetërore si ministër i Ekomomisë, kryetar i Kuvendit dhe President i Republikës përse nuk keni paraqitur në prokurori faktet tuaja në formë denoncimesh?

Të tre çështjet që ngre SPAK-u janë njëra më absurde dhe më e manipuluar se tjetra dhe pjesë e një fletërrufeje të përbashkët, që ka tronditur edhe Baton Haxhiun, kur kishte lexuar deformimet e deklarimeve të tij të dhëna gjatë këtij procesi maskaradë.

Së pari çështja CEZ-DIA është shumë e vjetër, gati 15 vjeçare dhe është hapur e fikur disa herë.

Po kështu ka patur edhe procese gjyqësore ku janë dënuar disa persona.

Kjo çështje jo rastësisht u regjistrua në 2018 nga një kallëzues me probleme të rënda, i cili është dënuar edhe për dhunë nga gjykata.Ky person kishte qenë një nga bashkëpunëtorët kryesorë të Kastriot Ismailit në drejtimin e DIA.

Më pas ky person që prej vitesh nxirret në çdo ekran që financohet nga inceneratorët u përdor nga Damian Gjiknuri më 2014 në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë kundër Kastriot Ismailit dhe kjo e ndihmoi të siguronte punë në shtet e privilegje të tjera.

Ky person vite  më pare ka dhënë dëshmi në një process gjyqësor kundë Kastriot Ismailit dhe ka deklaruar nën betim se kur e pyeta Kastriot Ismailin a ishte i lidhur me politikanë shqiptarë ai i kishte thënë se jo, ishte i lidhur me amerikanë.

Dhe në fakt kjo është e vërteta që konfirmohet edhe në deklaratat e shtetasit çek Hejsek në Vjenë në Gjykatën e Arbitrazhit, kapitulli IV kur ai flet për aksionerët e DIA dhe përmend amerikanët e në veçanti shtetasen Rebecca Gaskin, partneren e Kastriot Ismailit në çdo biznes.

Po pse u regjistrua kjo çështje në 2018 nga ky kallëzues?

Sepse kishte nisur përplasja e madhe midis meje si President dhe Edi Ramës për Çështjen e Detit me Greqinë, për të cilën Rama ushtronte presion mbi anëtarët e Komisionit Negociator, që të shkelnin vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të favorizonin pa të drejtë palën greke.

Po pse u mor përsipër nga Altin Dumani në dhjetor 2019 si çështje?

Sepse ishte kulmi i përplasjeve të mia si President me Ramën dhe McGonigalët për Gjykatën Kushtetuese.

Përpara se të bëhej Manifestimi i 2 Marsit 2020, unë kisha paralajmëruar mitingun më 12 Dhjetor 2019, por e anulova se ndodhi tërmeti në Nëntor. E pra ky ishte momenti kur Partia i jep detyrën Dumanit të niste këtë çështje, që hetohet prej tij prej 5 vitesh dhe që nuk ka asnjë element të ri përveç gënjeshtrave të vjetra e të turpshme të bëra nga njerëz që kishin problem me drejtësinë.

Lidhur me pretendimin më absurd se unë kisha ndërhyrë te ERE (Enti Rregullator i Energjisë) për të favorizuar CEZ-in kundër KESH-it kjo është krejt banale pasi është e provuar se Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë (METE), që drejtohej nga unë dhe KESH iu kundërvunë këtij vendimi jo vetëm duke kërkuar rishikimin e tij, por edhe duke iu kundërvënë në të gjitha shkallët e gjykatave.

Kjo përplasje midis Qeverisë dhe ERE solli dorëheqjen e Kryetarit të ERE.

Është e provuar se Kastriot Ismaili i kishte vendosur vetë lidhjet me çekët dhe këtë e ka përmendur edhe bashkëshortja e tij në një intervistë më 16.02.2016, por kjo nuk u intereson spakistëve se u rrëzon alibinë e tyre, që nuk mbahet dot në këmbë.

Ndërsa përsa i takon komunikimeve të mia me drejtësinë për këtë çështje ato nuk kanë munguar edhe më herët. Në janar 2916 unë kam informuar me shkresë zyrtare Prokurorinë e Përgjithshme për një mesazh të shtetases Vojsava Ismaili, e cila më kërkonte takim me një përmbajtje të orientuar, që ia vura në dispozicion Prokurorisë dhe i kërkoja të ndiqte çështjen duke i shpjeguar rrethanat ku ndodhej zonja dhe personat e rrezikshëm që jo vetëm mund të ndikonin që ajo nën presion të bënte deklarata të pavërteta, por edhe mund ta eleminonin më pas, për të më akuzuar mua se gjoja po zhdukja dëshmitarët.

Ky ishte rasti i dytë që unë njoftoja institucionet zyrtare të kujdeseshin për sigurinë e saj.

Lidhur me akuzën qesharake se unë kam ndërhyrë për të favorizuar një biznesmen për ndryshimin e një ligji për minierat dua t’ju siguroj se asgjëkundi nuk përmendet emir im si Kryetar Kuvendi apo deputet nga SPAK-u për këtë çështje.

Plus që amendamentet e propozuara sipas vetë SPAK-ut janë propozuar nga deputetja e PS-së, Esmeralda Shkjau dhe kështu janë votuar nga shumica ku LSI kishte 16 deputetë e PS mbi 60 deputetë.

Lexojeni vetë ju lutem këtë pjesë se nuk është shumë e gjatë te dosja dhe nëse e gjeni njëherë të vetme emrin tim të përmendur apo të angazhuar për këtë çështje më thoni si nuk ju vjen turp që akuzoni prokurorët për kamikazë dhe mercenarë.

Lidhur me akuzën tjetër se unë kam ndërhyrë për të favorizuar një biznesmen në fushën e telekomunikacioneve (PLUS) kjo është edhe po kaq absurd pasi dihet se PLUS ishte e vetmja kompani me 19 aksionerë shqiptarë në fushën e telefonisë celulare, që dominohej nga dy kompanitë e huaja.

Këta aksionerë janë ankuar te unë si Kryetar Kuvendi (sepse AKEP-i varej nga Kuvendi) që po diskriminoheshin nga AKEP-i për interes të dy kompanive të huaja dhe se ishin në prag falimentimi.

Ndaj këtë shqetësim unë ia kam përcjellë kreut të AKEP-it me qëllim që kjo kompani shqiptare të mos diskriminohej dhe jo që të favorizohej.

Kjo sjellje ishte tepër etike dhe e përgjegjshme. Ju mund të lexoni pjesën në fjalë në dosje.

  1. Lidhur me çështjen e lobimit, në mbrojtjen tuaj ju shkruani: Që Fidetzis ishte mashtrues, për këtë u binda që në takimin e dytë në Uashington kur e denoncova te Presidenti i “McKeon Group”. Asnjëherë se kam autorizuar këtë person për të më përfaqësuar pranë “McKeon Group” e kujtdo, direkt apo indirekt. Përse nuk depozituat denoncim në organet e drejtësisë?

Lidhur me çështjen e lobimit dyshimet ndaj meje janë qëllimisht absurde.

Ju thon ipse nuk keni denoncuar avokatin greko-amerikan Fidetzis si mashtrues pranë autoriteteve amerikane?

Në fakt kjo ka ndodhur dhe është e provuar. Vetë Presidenti i McKeon Group i dërgon shkesë Departamentit të Drejtësisë ku i kërkon të rishikohet marrëveshja me LSI pasi në takimin që patëm me Kryetarin e Kuvendit dhe Kreun e LSI, Ilir Meta ai na informoi se Z. Fidetzis nuk ka qenë i autorizuar nga ai dhe Partia e tij për të firmosur marrëveshjen dhe se edhe fushat e bashkëpunimit do të jenë të ndryshme.

A nuk është ky praktikisht denoncim, që i është njoftuar Departamentit të Drejtësisë në SHBA?

Këtë shkresë ia kemi bërë të ditur edhe SPAK-ut dhe GJKKO në të dy seancat.

Nuk ekziston asnjë fakt, asnjë autorizim që unë si Kryetar i LSi të kem autorizuar cilindo shqiptar apo amerikan për të bërë marrëveshje apo pagesa për kompani lobimi në kundërshtim të ligjeve dhe pa vendimmarrjen e Kryesisë së LSI.

Edhe për 15,000 USD që i janë paguar McKeon është vendosur në Kryesi me propozim të një anëtari të Kryesisë dhe deputeti i cili ishte edhe ndërmjetësi i takimit tim me Fidetzis në Greqi dhe po kështu kishte lidhje e miqësi me të.

About Redaksia

Check Also

Rama merr vendimin për kthimin e stadiumit “Selman Stërmasi” në kullë

Rama dhe qeveria kanë marrë vendimin për kthimin e stadiumit “Selman Stërmasi” në kullë. Qeveria …