Gazetarja: Diçka e madhe po fshihet në vrasjen e Martinit!

Gazetarja Anila Jole, aktualisht kryeredaktore e News24, ka bërë një denoncim të fortë, duke akuzuar policinë se po përfshihet në një krim edhe më të rëndë, se ai që ndodhi.

Jole shkruan në Facebook se autori i dytë i vrasjes së Martinit dhe plagosjes së shokut të tij, Luis Meçajt është djali i një hetuesi të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Reagimi i gazetares Anila Jole

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani ishte një kob për të gjithë, por me kobshme po bëhet ajo nga përpjekjet e paturpshme për ta mbuluar. Prokuroria, policia dhe fatkeqësisht edhe disa media po bëjnë ç’është e mundur të mbrojnë një version të cunguar të vrasjes, atë që publiku mësoi që ditën e ngjarjes.

Por tashmë për çdo mendje të kthjellët e të drejtë ka disa fakte që vërtetojnë se në vrasjen e Martinit kanë qenë pjesëmarrës të paktën 2 persona.

– Këtë e dëshmon shoku i Martinit që po kurohet në spital. Ai thotë se është qëlluar nga 2 persona me 2 thika të ndryshme dhe provë për policinë janë plagët që ka në trup. Një ekspertizë e thjeshtë mund të vërtetojë dëshminë e tij, por një rezultat i saj ende nuk ka dalë.

– Po ashtu thika e gjetur pranë ATSH nuk është e njëjta me atë që reklamonte vrasësi 14 vjeçar në Tik Tok.

– Vrasësit janë larguar nga vendngjarja me një makinë (të cilën nuk mund ta drejtojë një 14 vjeçar). Pra autori i vrasjes, gjithësesi nuk është vetëm ai që është arrestuar.

Këto janë disa elementë që dalin nga aq sa është bërë publike dhe nuk do shumë mend për të kuptuar se diçka e madhe po fshihet.

Shumë gazetarë e dinë dhe e kanë thënë se personi që po mbahet i fshehur është djali i një hetuesi të BKH, por shumë gazetarë të tjerë edhe pse e dine, bëjnë emisione për të devijuar të vërtetën. Hetuesi i BKH, që paguhet për të bërë drejtësi, po bën ç’është e mundur të shpëtojë të birin nga ndëshkimi i merituar. Kaq i madh është presioni i tij, saqë edhe vetë 14-vjeçari i arrestuar nuk e tregon emrin e shokut të tij, ndërsa policia për çudinë e madhe nuk gjen asnjë provë që të vërtetojë këto dëshmi. Asnjë kamera nuk e paska filmuar autorin e dytë, edhe pse i plagosuri thotë që ai qëllonte se bashku me atë që tashmë është arrestuar. Por përse disa ditë më parë policia nxitoi të bëjë njoftim ku siguronte opinionin se në vrasje nuk ka marrë pjesë një person i dytë veç të arrestuarit?

Unë besoj se sado përpjekje të bëhen, e vërteta do dalë, sepse shpresoj që kanë mbetur në këtë vend 2 njerëz të ndershëm që iu dhemb dhimbja e prindërve të Martinit dhe e ndiejnë detyrim t’i thonë publikut të tronditur se krimi do ndëshkohet. Unë besoj se nëse askush nuk do bëjë drejtësi për Martinin, do të jetë Zoti gjykatësi më i drejtë.

Nuk mund të flesh i qetë me gjakun e një fëmije në duar!

About Redaksia

Check Also

Rama merr vendimin për kthimin e stadiumit “Selman Stërmasi” në kullë

Rama dhe qeveria kanë marrë vendimin për kthimin e stadiumit “Selman Stërmasi” në kullë. Qeveria …