Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, pas homazheve në Vlorë në Ditën e Flamurit komentoi edhe lirimin e liderit të opozitës, Sali Berisha.
Noka tha se, lirimi i liderit të opozitës, Sali Berisha erdhi si pasojë e zhvillimeve të vrullshme!
“Lirimi i zotit Berisha erdhi si pasojë e zhvillimeve të vrullshme politike. E para ishte fitorja e presidentit Trump në SHBA, çka preu metastazat e Xhorxh Sorosit edhe në Shqipëri.
E dyta janë rezolutat dhe mbështetja e partnerëve që i bënë PD-së. Kujtoj këtu rezolutat e CDI dhe PPE, dy rezoluta që flasin qartësisht për një shtet të kapur nga krimi dhe korrupsioni, një shtet ku opozitës i janë mbyllur hapësirat, një shtet pa liri ku drejtësia përdoret si marionetë në duart e pushtetit kundër opozitës. Flasin qartësisht për burgosjen e lidershipit të opozitës.
Faktori i tretë dhe kryesorja është rezistenca dhe qëndresa e demokratëve në të gjithë Shqipërinë. Është mosbindja civile. Të gjitha këto bënë që më në fund e vërteta dhe vetëm e vërtetë ta triumfojë.
Strasburgu pastaj ishte një sirenë alarmi për drejtësinë e Xhorxh Sorosit në Shqipëri. Strasburgu ndërmori hapa të shpejtë, një procedurë të përshpejtuar për të shqyrtuar çështjen e burgosjes politike të Sali Berishës. Kjo bëri që të nguten sepse Strasburgu do rrëzonte përtokë përfundimisht drejtësinë e Xhorxh Sorosit në Shqipëri”, tha Noka.