Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas shpërthimit të sotëm në kanalin e Ibër – Lepencit, duke thënë se bandat kriminale serbe kanë humbur çdo betejë me institucionet e Kosovës dhe se kushtetutshmëria dhe ligjshmëria do të mbrohet në çdo cep të vendit.
Osmani ka thënë se “[bandat kriminale serbe] Do të humbin sërish, në përpjekjet e tyre qyqare për të sulmuar infrastrukturën jetike të Republikës sonë nëpërmjet akteve terroriste”.
“Mbrojtja e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe lufta e pa kompromis ndaj ketyre elementeve kriminale janë jetike”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook.
“I ftoj qytetarët të vazhdojnë të tregojnë qetësi e maturi derisa institucionet tona po merren me hetimin e rastit dhe sanimin e dëmit me profesionalizmin më të lartë. Përveç institucioneve tona, partnerët tanë ndërkombëtar të sigurisë menjëherë kanë ofruar ndihmën e tyre edhe për sanimin e dëmit të shkaktuar dhe për furnizim me ujë e po ashtu për hetim të ketij akti kundër shtetit e qytetarëve tanë”, ka shkruar Osmani.
Gjatë dy ditëve të fundit në veri të vendit, respektivisht në Zveçan, janë sulmuar me granata dore objektet e stacionit policor dhe ai i Komunës.