Garancia e bandave të Shijakut për Çyrbjen/ Lista e Durrësit mban firmën e Ramës (Dokumenti)

Me fytyrën ku i lexohej shqetësimi për telashet e një dosjeje të re dhe me thinjat që i janë shtuar nga burgu i vjetër, Vangjush Dako reagoi i bezdisur kur një grup gazetarësh kureshtarë e rrethuan menjëherë për ta pyetur në lidhje me fletë-thirrjen e fundit, atë që ka të bëjë me Jurgis Çyrbjen, ish-deputeti që përdorte aplikacionin Sky Ecc për të folur me bandat e Shijakut.

“Ikni se nuk ju them asgjë” i ra shkurt ish-kryebashkiaku, dikur drejtues politik i Partisë Socialiste në Durrës dhe anëtar i kryesisë qëndrore, ndërsa sot një ish-i burgosur që nuk bën dot asnjë hap nga shtëpia pa u shoqëruar nga një polic që i vinte nga pas edhe në rrugën Jordan Misja në Tiranë.

Dako ende nuk ka nisur zyrtarisht dënimin me 2 vjet e 8 muaj burg për dy çështje të vjetra, një që ka të bëjë me një leje ndërtimi të dhënë me vonesë në Durrës dhe çështja e dytë, për shpenzimet e një shëtitore që nuk u ndërtua kurrë.

Ç’ka e bën më shqetësuese situatën e tij, është fakti se hetimi i ri duket ku e ku më i rëndë, se sa dosjet e vjetra për të cilat e dënoi gjykata.

Kush i dha garanci bandave të Shijakut për Jurgis Çyrbjen?

Jurgis Çyrbja u rendit i treti në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste në Durrës për zgjedhjet e 25 Prillit 2021. Por bisedat e zbardhura në SKY ECC dëshmuan se për t’u bërë deputet, Çyrbja nuk dha ndonjë kontribut në strukturat e Partisë Socialiste, por ai e kërkoi këtë nder nga bandat e Shijakut.

Altin Hajri, kreu i një grupi kriminal me bazë në Shijak që akuzohet për zhdukjen e Jan Prengës rezulton se ishte një nga ata që i dilte garant Jurgis Çyrbjes për renditjen në listën e PS. Hajri ishte i përfshirë direkt në fushatën e PS dhe bënte llogaritë e votave, duke i premtuar ish-kandidatit se do të lobonte në Partinë Socialiste që ai të bëhej deputet.

Në bisedën e datës 7 mars 2021 Altin Hajri njofton Jurgis Çyrbjen se kishte marrë garanci se ai dhe “liri” do të ishin kandidatë në listën për deputetë, në vendin e katërt ose të pestë, duke iu referuar kandidatit tjetër të Qarkut të Durrësit, Ilir Ndraxhi.

Madje Altin Hajri e kishte listën e kandidatëve të Durrësit në telefonin e tij para se këtë ta kishte deputeti dhe është ai që e njofton në SKY ECC për renditjen e kandidatëve pasi merret vendimi.

Përveç bisedave me Altin Hajrin, SPAK ka zbuluar edhe komunikimin direkt të Jurgis Çyrbjes me Edmond Çekiçin, i cili u vra disa muaj pas zgjedhjeve. Edhe ky, një emër i njohur i bandave të Durrësit del garant se Çyrbja do të ishte në listë në vendin e 5.

Edmond Çekiçi: “Tashi sa e mbylla muhabetin tënd. Kam 3 orë me atë. Ia kërkova personalisht. E du unë ketë gjë i thashë. Përveç se e duan të gjithë. Do ja çoj ashtu, tha, ti i pesti, Liri i 7”.

Jurgis Çyrbja i kthen përgjigje: “Ma ngrite moralin. Se na kishte ik mendja”.

Roli i Dakos në Durrës

Metodat e Vangjush Dakos janë të njohura nga përgjimet e ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda në dosjen 339 në të cilën doli se ish-kryebashkiaku angazhoi vëllezërit Avdylaj për fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet lokale të 2017 në Durrës dhe në Shijak.

Në ato zgjedhje, Dako ishte kandidat i Partisë Socialiste të Durrësit për bashkinë dhe për të arritur objektivin kishte dorë të lirë nga kryesocialisti Edi Rama për të përdorur emra të njohur të krimit, personazhe që u zbuluan nga përgjimet e prokurorisë për hetimet e një laboratori heroine dhe për trafikun e armëve.

Por dosja 339 u mbyll pa e cënuar Vangjush Dakon, që pas publikimit të përgjimeve u shpall “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vetëm se procesi në zgjedhjet e vitit 2021 ka një dallim thelbësor nga ai i vitit 2017. Në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste ishte edhe Edi Rama, i renditur i teti në të njëjtën listë ku kandidat për deputet ishte edhe Çyrbja.

Vangjush Dako mund të ketë qenë drejtues politik në Durrës, por a mund të vepronte ai pa dijeninë e Edi Ramës?

Dako, kokë turku 

Në 5 vjet që kur është ngritur si strukturë. SPAK ka provuar disa herë se nuk mund ta thërrasë dot kryeministrin Edi Rama për ta marrë në pyetje. Sigurisht që nuk mund as ta procedojë penalisht atë.

Ky defekt që ka institucioni, kjo vijë e kuqe që vizatohet në nisje të çdo hetimi, i detyron prokurorët t’i përvidhen disa të vërtetave duke dalë në konkluzione qesharake.

E tillë është edhe fletë-thirrja drejtuar Vangjush Dakos, duke shpërfillur Edi Ramën.

Dihet që listën përfundimtare të kandidatëve të Partisë Socialiste e firmos dhe e çon në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve kryetari i partisë, Edi Rama. Madje kjo listë është publike dhe gjendet me një kërkim të thjeshtë në internet. Siç duket më poshtë, lista e kandidatëve të Durrësit mban firmën e Ramës.

Madje në datën Rama e ka prezantuar në publik listën e kandidatëve për të gjithë Shqipërinë, ai ka dhënë shpjegime për emra specifikë, personalitetin, cv dhe kontributin e tyre.

Prandaj kur dolën përgjimet e Jurgis Çyrbjes në SKY ECC ishte mëse e kuptueshme që dyshimet për ndikim nga bandat kriminale të binin mbi Edi Ramën, si kryetar i Partisë Socialiste dhe firmëtar i listës që është dërguar në KQZ.

Vetëm se SPAK nuk i lejohet ta shohë këtë realitet. Hetimet nuk mund të shkojnë aq lart, prandaj dhe situata kalon në absurd, sikur njeriu që ka hartuar listën e kandidatëve është Vangjush Dako, i cili me logjikën e SPAK rezulton se është ai përgjegjës për caktimin edhe të numrit 8 në listën e kandidatëve, që është vetë Edi Rama. /Lapsi.al

About Redaksia

Check Also

Skandali 3 mln euro me shkollën në Manzë/ Garo: Do të hetohen dhe ndëshkohen abuzuesit me fondet e rindërtimit

Deklarata e zëdhënëses së PD, Floriana Garo: Ajo që po ndodh me fondet e rindërtimit …