Kryetari i PD, Sali Berisha ka detyruar Parlamentin të ngrihet në këmbë për të nderuar kujtimin e një luftëtari antikomunist si Profesor Sami Repishti, i cili ndëroi jetë disa ditë më parë. Ndërsa Berisha kërkoi 1 minutë heshtje në nderim të Repishtit, PS fillimisht nuk ju bind kësaj kërkese, por pak më vonë, pasi kanë marrë mesazhin nga Rma që nuk ndodhej në sallë, ata janë ngritur në këmbë.
“Këto ditë është ndarë nga jeta një kolos i mendimit intelektual shqiptar, një avokat i pamposhtur i çështjes kombëtare, një luftëtar i paepur kundër diktaturës komuniste, një martir i gjallë që përjetoi në vitet e para të diktaturës barbaritë dhe torturat më çnjerëzore, profesor Sami Repishti.
Profesor Sami Repishti ishte ndër më të shquarit shqiptarë në diasporën dhe emigracionin tonë.
Fjala dhe penda e tij nuk rreshti kurrë së mbrojturi çështjen kombëtare dhe interesin kombëtar.
Ai, një antikomunist i vendosur, i dëshmoi me shkrimet e tij mbarë botës, fytyrën e vërtetë të regjimit të Hitlerit shqiptar të pasluftës, Enver Hoxhës.
Por, dha një kontribut dhe fjala e tij u dëgjua në të gjitha instancat e shtetit amerikan për të drejtat e shqiptarëve të pushtuar në Kosovë.
Për të gjitha këto, unë ftoj parlamentin ta nderojmë këtë burrë të shquar të kombit shqiptar me një minutë heshtje”, tha Berisha.