Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Edi Rama ushqen urrejtje për bluzat e bardha që prej vitit 1990, pasi ata bashkë me studentët përmbysën e regjimit të etërve të tij.
“Roli i mjekut në një shoqëri të civilizuar, është një rol jetik që lidhet më shumë se çdo rol tjetër me jetën, shëndetin e qytetarëve.
Në këtë kontekst, së pari, vendosja e tij në një status në të cilin i garantohet siguria e plotë dhe i respektohet dinjiteti, i vlerësohet puna, do të jenë nga aktet më të para të qeverisë së ardhshme të PD.
Edi Rama ushqen një urrejtje për bluzat e bardha, de facto që nga vitet 1990. Në qoftë se lëvizja, apo revolucioni studentor i viteve 1990 do të kishte emër tjetër, ai do të ishte revolucioni i bluzave të bardha.
Pas studentëve, ishin bluzat e bardha ato të cilat luajtën rolin më të rëndësishëm në përmbysjen e regjimit të etërve të Edi Ramës.
Edi Rama ka edhe arsye të tjera, por unë nuk po ndalem këtu, që të urrej mjekë dhe mjekësinë.
Garantoj se rregulla të qarta do të përcaktojnë marrëdhëniet e sektorit publik me sektorin privat të shëndetësisë. Rregulla të qarta, do të përcaktojnë detyrimin e sektorit publik për shërbimet më të specializuara ndaj qytetarëve. Do të përcaktojnë pamundësinë e mungesave të tmerrshme të ilaçeve, të mjeteve të diagnozës, të mjeteve të mjekimit, siç ndodh sot, që të sëmurët vdesin jo nga sëmundja, por nga mungesa e ilaçeve për ta mjekuar atë”, tha Berisha.