Partia Demokratike dega Durrës ka denoncuar sërish aferën e portit më të madh në vend. Në një deklaratë për mediat, PD e qytetit bregdetar shprehet se, përfituesi kryesor i aferës së portit të Durrësit është Edi Rama.
Sipas demokratëve durrsakë, në tre vitet e ardhshme shqiptarëve do tu merren 400 mln euro taksa për të ndërtuar portin e ri, që fillimisht ishte premtuar se do të ndërtohej nga privati.
“Sot në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, PD e Durrësit thekson se megafera e portit të Durrësit është grabitja më e madhe që i është bërë nga Edi Rama taksapaguesve shqiptarë, në tërësi dhe qytetarëve durrsakë në veçanti.
Porti i Durrësit, një port mijëravjeçar, një nga portet më të vjetra të Europës në detin Adriatik, dhe porti më i madh në vend, me mbi 1.4 milionë metër katrorë dhe vlerë 3.8 miliardë euro, ju dhurua Alabarit nga Edi Rama dhe Emirjana Sako, kundër çdo rregulli, dhe ligji të shtetit shqiptar.
Në fakt përfitues është vetë dhuruesi, Edi Rama.
Në fillim Edi Rama zotohej para shqiptarëve se ky projekt do të financohej nga privati dhe nuk do të paguhej asnjë qindarkë. E vërteta është se porti i ri që do të ndërtohet në Porto Romano, Edi Rama ndryshoi ligjin e prokurimeve dhe në kundërshtim e në shkelje të ligjit, porositi një projekt ku vlera e ndërtimit të këtij porti shkon nga 1.3 deri në 2 miliardë euro.
Vetëm për tre vitet e ardhshme shqiptarëve, do t’ju merren me taksa 400 mln euro, ndërkohë tenderi për ndërtimin e portit të ri, dështoi se asnjë nga kompanitë nuk mori pjesë”, thuhet në deklaratën e PD së Durrësit.