Me rreth 30 faqe arsyetim, dy prokurorët e dosjes “Tahiri” i janë drejtuar Gjykatës së Lartë që të kthejnë mbrapsht vendimin e Apelit të GJKKO-së për dënimin e ish-ministrit Saimir Tahiri dhe të ish-kryepolicit të Vlorës.
Ata janë të bindur se në punën e tyre hetimore disa vjeçare kanë sjellë fakte dhe prova të mjaftueshme për ta bindur gjykatën në lidhje me aktivitetin kriminal të Tahirit dhe Çelës si dhe kanë faktuar bashkëpunimin e tyre me anëtarët e grupit kriminal të vëllezërve Habilaj.
Janë një mori të dhënash, faktesh dhe kundërfaktesh me anë të të cilave prokurorët tregojnë gabimet e gjykatës, kryesisht duke theksuar se kanë ekzistuar faktet e arsyeshme që të mos përjashtohen nga akuzat për të cilat është hartuar edhe rekursi.
Si u mbush Vlora me hashash
Nga provat e administruara vërtetohet se në të njëjtën periudhë me mbajtjen nga i pandehuri Saimir Tahiri të lidhjeve të sipërcituar me shtetasin Moisi Habilaj, drejtues i organizimit kriminal që kishte për qëllim trafikimin e narkotikëve, ndërkohë janë ekzekutuar nga Moisi Habilaj etj., disa raste trafikimi të lëndës narkotike nga Shqipëria drejt Italisë, të dokumentuara këto me sekuestrimin e sasive konkrete në datat 25.10.2013, 27.02.2014, 29.07.2014, 08.05.2015, e në rastin e peshkarexhës “Fatima”(kapur në Itali me datë 08.05.2015) bashkëpunimi i punonjësve të caktuar të policisë, pa përjashtuar edhe persona të tjerë të mundshëm me funksionet publike, ka qenë në një shkallë të lartë përfshirje dhe koordinimi.
Kjo, në mënyrë të padyshimtë kërkon një shkallë të lartë organizimi të vetë grupit kriminal, infiltrim të lartë të tij në strukturat e Policisë dhe lejimin e kësaj situate nga nivelet drejtuese të policisë nëpërmjet veprimeve apo mosveprimeve nga më të ndryshmet, të kryera me dashje. Aktiviteti i trafikimit të lëndëve narkotike “cannabis sativa” është shoqëruar nga një shkallë shumë e lartë e përhapjes së kultivimit të bimëve narkotike “cannabis sativa”, veçanërisht në rrethin e Vlorës. Të paktën në vitin 2016, në të cilën i pandehuri Moisi Habilaj dhe grupi i tij vazhdonin të ishin aktiv në aktivitetin e tyre të trafikimit të narkotikëve, siç del nga aktet e hetimit penal të autoriteteve italiane dhe më pas edhe nga sekuestrimi i sasisë prej afro 4 ton “cannabis sativa”, në banesën e shtetasit Armand Koçerri në Babicë të Vogël, është dokumentuar se kultivimi i bimëve narkotike në rrethin e Vlorës ishte kthyer në një aktivitet kriminal masiv.
Siç është pasqyruar në vendim pjesa dërmuese e informacioneve për kultivimin e bimëve narkotike që Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ia ka përcjellë për verifikim Stacionit të Policisë Selenicë, ka ardhur nga institucionet ligjzbatuese dhe jo nga vetë punonjësit e Policisë të Drejtorisë Vendore Vlorë, përfshirë edhe informacionin e datës 10.06.2016 për shtetasit Artan, Moisi dhe Florian Habilaj, për kultivim bimësh narkotike.
Veprimet e policisë vendore për asgjësimin e bimëve narkotike kanë filluar vetëm pas dërgimit të raporteve të monitorimit ajror të Guardia Di Finanza, përveç rasteve të shkëputura të asgjësimeve të mëparshme. Në përgjimet telefonike të personave që ushtronin këtë veprimtari kriminale është përmendur se asgjësimet shpesh kanë qenë selektive dhe bimët narkotike të prera liheshin të padjegura, gjë që u mundësonte kultivuesve të tyre që t’i merrnin pas largimit të policisë.