Kryetari i PD, Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim me pedagogë dhe studentë, ku u diskutua situata e arsimit të lartë në Shqipëri dhe mungesa e përmbushjes së premtimeve nga qeveria për arsimin.
Gjatë këtij takimi, studentët njoftuan një protestë masive për datën 19 dhjetor 2024, në orën 12:00, për të kërkuar përmbushjen e premtimeve të paktit për universitetin të vitit 2018, i cili nuk është realizuar ende, dhe për të kundërshtuar uzurpimin e hapësirave universitare për projekte të tjera.
Desada Xhetani, senatore e Universitetit të Tiranës dhe përfaqësuese e FRPD, falënderoi pedagogët për mbështetje dhe bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestë:
“Dua t’ju falenderoj të gjithë ju pedagogë që jeni këtu për mbështetjen tuaj dhe këtë mbështetje unë do ua kërkoj edhe më datë 19 dhjetor, kur ne studentët kemi thirrur protestën tonë për këtë pakt që nuk është mbajtur që nga viti 2018. Më datë 19, në orën 12:00, ne të rinjtë, studentët, do të marshojmë nga godina Liria drejt Ministrisë së Arsimit për t’ia përballur në fytyrë të gjitha gënjeshtrat dhe padrejtësitë që janë bërë gjatë këtyre viteve. Nuk është e drejtë që qeveria të na tallë dhe të mos na vendosë si prioritet asnjëherë.”
Ilirjana Kuçana, anëtare e Këshillit Kombëtar të PD-së, theksoi rëndësinë e mbrojtjes së hapësirave universitare dhe kundërshtoi projektet që po shkatërrojnë kampusin e Tiranës:
“Kampusi ka mbetur projekti i vitit 2013, ndërkohë që tashmë kanë nisur punimet për Kolegjin Europian. Ne kërkojmë që t’i gjendet një vend tjetër Kolegjit të Europës; ka toka publike plot. E mirëpresim çdo nismë europiane, e ritheksoj, por jo të uzurpohet kampusi universitar i Tiranës. Ky është një projekt që duhet të mbrohet, dhe studentët janë ata që do të reagojnë. Protesta jonë do të zhvillohet më datë 19 dhjetor, në orën 12:00, duke nisur nga kampusi universitar i Tiranës, godina Liria.”
Lush Susaj, pedagog, shprehu mbështetje të plotë për studentët dhe theksoi se kjo është një betejë për të ardhmen e rinisë shqiptare:
“Më datë 19, si qytetar, si profesor, jam afër studentëve, sepse mbroj ata që kanë ikur, por dua t’u jap zemër atyre që duhet të qëndrojnë këtu. Ky është momenti që ne të reagojmë dhe të mbrojmë të drejtat e studentëve dhe arsimin publik.”
Ina Zhupa, deputetja e Partisë Demokratike, u bëri thirrje pedagogëve, studentëve dhe qytetarëve të bashkohen në protestën e 19 dhjetorit:
“Besoj se të gjithë këtu do të jemi në protestën e të enjtes, më datë 19 dhjetor, në orën 12:00, por do t’u bëjmë thirrje edhe studentëve, edhe kolegëve tanë pedagogë që të jemi të gjithë bashkë, pa u trembur nga çdo lloj presioni, qoftë nga ata që drejtojnë universitetet apo edhe nga Ministria e Arsimit. Kjo është një çështje që na përket të gjithëve dhe duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur të drejtat e studentëve dhe për të garantuar një arsimin cilësor.”
Protesta e planifikuar për 19 dhjetor 2024 do të nisë nga godina “Liria” në kampusin universitar të Tiranës dhe do të përshkojë rrugën drejt Ministrisë së Arsimit. Studentët dhe pedagogët kanë bërë thirrje për mbështetje të gjerë dhe për pjesëmarrje masive në këtë protestë, e cila është një reagim ndaj premtimeve të pambajtura dhe abuzimeve të vazhdueshme në sektorin e arsimit. Protestuesit do të kërkojnë përmbushjen e premtimeve të qeverisë, si dhe ndalimin e shkatërrimit të hapësirave universitare dhe ndërhyrjeve të jashtme që nuk kanë lidhje me interesat e studentëve.