Pastori Akil Pano gjatë fjalës së tij në Forumi “Të Drejtat e Shkelura’, me pjesëmarrjen edhe të liderit të PD, Sali Berisha, u shpreh se eventi i sotëm duhet të quhet një ngjarje pasi nuk e kemi luksin e kohës që aktivitete të kësaj natyre të mund të shtyhen.
Ndër të tjera, Pano ka ndarë edhe disa detaje të koalicionet ‘Pro Familjes e Jetës’ si një koalicion me bazë të gjerë qytetare që përfshin përfaqësues nga besimi fetar, nga bota akademike, intelektualë dhe familjen.
“Këtë event sot dua që ta quaj ngjarje, pasi në këtë vend përbën risi zhvillimi i këtij aktiviteti dhe nuk besoj se e kemi luksin e kohës që aktivitete të kësaj natyre të mund të shtyhen në kohë dhe t’i marrin kohë njëri-tjetrit.
Dua shkurtimisht të ndaj dy a tri gjëra nga koalicioni ‘Pro Familjes e Jetës’ si një koalicion me bazë të gjërë qytetare, që përfshin përfaqësues nga besimi fetar, nga bota akademike, intelektualë dhe familjen.
Dua të bej me dije sot, që ne kemi sjellë projekt propozimin tonë pranë Partisë Demokratike, rreth një viti më parë, në raport me idenë e një raporti të mirëfilltë pro familjes në vend.
Një projekt që ka munguar gjatë këtyre viteve, i cili synon forcimin e familjes në të gjitha sferat e saj, dyfishimin e pensioneve, mbështetjen e martesës apo mbështetjen financiare për çifte që martohen dhe kërkojnë kredi pa interes, mbështetjen me uljen e taksave si dhe dyfishim pensionesh.
Ky projekt ka si qëllim edhe kthimin e të rinjve në Shqipëri, hapjen e vendeve të reja të punës, mbështetjen e lindshmërisë sepse fatkeqësisht indeksi i lindshmërisë në vendin tonë është nën 1.2, por që për të ruajtur këtë nivel demografik që ne kemi duhet të jetë të paktën 2.2/ 2.3.
Fatkeqësisht jemi në një moment kritik sa i përket zhvillimit dhe më vjen keq ta përdor si shprehje asgjësim, jo vetëm për shkak të shpopullimit, por si rrjedhojë politikave të anti-lindshmërisë, antifamiljes nga kjo administratë që ka instaluar një regjim neofeudal në këto 12 vite”, tha Pano.