Berisha: Jemi në diktaturë! Sot gjykatat dhe prokuroria speciale janë po aq politike sa në kohën e Enver Hoxhës!

Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Forumin “Të Drejtat e Shkelura” deklaroi se, Shqipëria ndodhet në diktaturë. Ai tha se, gjykatat dhe prokuroria speciale janë po aq politike sa ishin edhe në kohërat më të zeza të diktaturës së Enver Hoxhës.

“Së pari, dua të falënderoj përzemërsisht organizatorët e këtij takimi dhe ju të gjithë.

Falënderoj oratorët për diskutimet e tyre shumë të rëndësishme dhe me përgjegjësi, të cilat paraqitën Shqipërinë reale, aktuale, që është në klasifikimin e regjimeve totalitare, të bërë nga një historian dhe filozof, sociolog konservator ndër më të shquarit e kohërave, Hantington, është diktaturë bande, forma më e keqe e diktaturave.

Ky historian, pasi ka studiuar diktaturat, naziste, komuniste, teokratike dhe narkodiktaturat, arrin në përfundimin se kjo është diktatura më e keqe sepse nuk respekton asnjë ligj, asnjë rregull.

Në këtë diktaturë, si në asnjë tjetër, ligji, qoftë edhe i keq, ka zero vlerë. Ka vetëm vullneti i atij që mban të gjitha pushtetet.

Secili nga ne duhet të shtrojë pyetjen se çfarë ndodh sot?

Sot Shqipëria është vendi ku të gjitha pushtetet janë të përqendruara në duart e një njeriu dhe këtë nuk e diskuton kush. Tipike e një diktature.

Sot gjykatat dhe prokuroria speciale janë po aq politike sa në kohën më të zezë të Enver Hoxhës.

Por ato, e vërteta është se zbatonin një ligj, i cili thoshte se po fole kundër partisë, ke kaq vite, po predikove besimin fetar, ke kaq vite.

Ai ishte krenar se me Kushtetutë ndalonte të drejtat e njeriut, kurse këtu Kushtetuta i rreshton të drejtat, por regjimi i shkelmon ato.

Sepse të drejtat kushtetuese, jo të qytetarëve, por të deputetëve shkelen në mënyrën më të egër.

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat në doktrinë duhet të kenë përmbarues kryetarin e shtetit, në disa vende e kanë, janë më eproret, më supremet, hidhen në kosh kur nuk i intereson qeverisë.

Kjo sepse pushteti i njishit është i panegociueshëm.

Është diktaturë sepse është e faktuar me të gjithë dokumentet, me qindra mijëra dokumente se këtu zgjedhjet janë farsë elektorale, nuk janë zgjedhje.

Pra, nuk ka rotacion. Regjimi nuk lejon rotacionin.

Është diktaturë sepse siç është faktuar në mënyrë të pakundërshtueshme, pushteti dhe krimi janë një sipërmarrje e përbashkët, nuk ka më asgjë. Dhe në krye të kësaj sipërmarrje ndodhet njeriu që kontrollon të gjitha pushtetet”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Rama merr vendimin për kthimin e stadiumit “Selman Stërmasi” në kullë

Rama dhe qeveria kanë marrë vendimin për kthimin e stadiumit “Selman Stërmasi” në kullë. Qeveria …