Mirditë, banorët ngrihen në protestë: Qeveria të ndërhyjë për rehabilitimin rrugës nacionale

Ashtu siç kishin paralajmëruar, banorët e 10 fshatrave në Bashkinë e Mirditës kanë përshkallëzuar reagimin e tyre në lidhje me degradimin e aksit rrugor Rrëshen-Burrel.

Këtë të premte ata kanë bllokuar këtë aks rrugor, duke kërkuar nga qeveria ndërhyrjen për rehabilitimin e kësaj rruge nacionale, e cila është bërë thuajse e pakalueshme, duke vështirësuar jetën e mijëra banorëve.

Kjo protestë po ndiqet nga afër edhe nga uniformat e policisë, të cilët ishin paralajmëruar për këtë veprim.

“Ne kërkojmë që të mirëmbahet rruga, të riparohet e të shtohet me asfalt. Është një katrahurë, që nuk ndodh as në Afrikë. Edhe pse shtrohet me asfalt, prap e vej re që disa herë mbushet me dhe, pra ne kërkojmë që të rehabilitohet dhe gjatë kësaj kohe të bëhet e kalueshme.

Sa gomat e sadokartet i ka çarë duke çuar kalamajt nëpër shkolla e nëpër spitale, kështu që ne kemi humbur të gjithë nga kjo rrugë. Ne kemi paguar taksa e kërkojmë të në kthehet në shërbim”, u shpreh një qytetar.

“Ka dy vite që e kam hapur biznesin dhe kjo është përvoja më e keqe që më ka ndodhur prej kësaj rruge. Nuk është hera e parë që na mashtrojnë, nga ana tjetër hiqen sikur do na e sjellin shërbimin e duhur.

Kjo është një protestë e vogël, por do e bllokojmë fare edhe nëse është për tu shembur do e shembimi këtë rrugë, se nuk është protestë aq e vogël sa e shohin ata. Nuk do lejojmë që të kalojë askush”, tha një tjetër.

Kujtojmë se disa ditë më parë, banorët e fshatit Tarazh, Mirditë u ngritën në protestë  për degradimin e këtij aksi rrugor i cili sikurse thanë ata, është bërë thuajse i pakalueshëm.

About Redaksia

Check Also

Dash Sula nuk do të jetë në listat për deputet të partisë së re

Kreu i Nismës Thurje (pjesë e koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet), Endri Shabani, është shprehur se …