Berisha: Nuk do shkoja kurrë me Pashiqin në Kosovë! Rama vendosi të ndalojë edhe himnin për Adem Jasharin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka theksuar rëndësinë e kërkimit të ndjesës për qytetarët e Kosovës për veprime të caktuara të qeverisë shqiptare, si sanksionet dhe bashkërendimi me Vuçicin për veriun e Kosovës.

Berisha ka bërë apel për të kërkuar ndjesë për përpjekjet për të përmbysur qeverinë e Kosovës dhe për ndalimin e këngës himn të Adem Jasharit, një këngë që ai e ka cilësuar si simbolike dhe domethënëse.

Ai gjithashtu ka komentuar për heroizmin e Adem Jasharit, duke e krahasuar me figura të tjera historike. Berisha ka përfunduar duke shprehur se nuk mund të imagjinonte të shkonte në Prishtinë me ‘Pashiqin’, duke theksuar që ai kurrë nuk do ta bënte një gjë të tillë.

“Nuk do shkoja në asnjë rrethanë pa votuar rezolutën për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë.
Pa kërkesë ndjese, vërtet qeveria përfaqëson, por janë qytetarët e Kosovës gjithashtu, por duhet kërkuar ndjesë qytetarëve të Kosovës për sanksionet që vuri Shqipëria.

Duhet kërkuar ndjesë qytetarëve të Kosovës për bashkërendimin me Vuçicin që veriu i Kosovës të merrej në dorëzim nga NATO.

Duhet kërkuar ndjesë qytetarëve të Kosovës për përpjekjet për të përmbysur qeverinë e vet, gjer te ndalimi i këngës, himnit të Adem Jasharit, akti më simbolik, më domethënës.

E lexova tre herë atë këngë, nuk ka asnjë presje që të nxisë armiqësira, racizëm, por ama i këndon një heroi, të cilin bota nuk e ka.

Nuk ka një komb tjetër që një luftëtar të luftojë tre ditë e net me të madh dhe të vogël në shtëpi, të mos ikë, ndërkohë që i kisha të gjitha mundësitë që të tërhiqej.

Kemi pasur një rast, Oso Kukën me nipin, kurse Adem Jashari kreu këtë akt më madhështorin në hierarkinë e heroizmave dhe Edi Rama i ndalon këngën pasi u lejua, pasi Shkurte Fejza këndoi në stadiumin e Tiranës.

Pra janë këto akte.

Të shkoja unë në Prishtinë me Pashiqin? Si mund ta bëja unë këtë? Kurrë.

Unë nuk shkoja kurrë me Pashiqin në Kosovë”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Lista e hapur e PD për Tiranën

Është zbardhur lista e hapur e kandidatëve të Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës, të …